Mijëra qytetarë janë mbledhur të premten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në një protestë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Protesta vjen dy ditë pasi Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së kanë mohuar përgjegjësinë për akuzat dhe mbrojtja e tyre ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë aktgjykimin përmes procedurave të apelit.

Aktgjykimi ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ndërsa protesta e së premtes është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
