PRISHTINË: AKADEMI PËRKUJTIMORE NË NDERIM TË DR. FLORA BROVINËS

Në Prishtinë është mbajtur, më 18 shtator 2026 akademia përkujtimore në nderim të mjekes, humanistes, poetes, ish-deputetes dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, Flora Brovina.

Ceremonia u zhvillua në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ku familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të jetës publike kujtuan jetën dhe veprën e saj. Gjatë akademisë u shfaq edhe poezia “Ora e parë”, e shkruar nga vetë Brovina.

Pas akademisë, në Hollin e Kuvendit të Kosovës u zhvilluan homazhet në nderim të saj, ndërsa varrimi ishte paraparë të mbahej në orën 16:00, në Varrezat e Qytetit në Dragodan.

Flora Brovina u nda nga jeta më 15 shtator 2026, në moshën 76-vjeçare. E lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj, ajo gjatë jetës së saj u angazhua në mjekësi, letërsi, humanizëm dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Brovina i kreu studimet e mjekësisë fillimisht në Beograd dhe më pas në Prishtinë, ndërsa u specializua në pediatri në Zagreb. Për vite me radhë punoi në Pediatrinë e Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës. Në fillimet e karrierës së saj punoi edhe si gazetare në gazetën “Rilindja”, ku trajtoi çështje shëndetësore dhe sociale.

Në vitin 1992 themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, përmes së cilës u angazhua për të drejtat e grave, ndihmën humanitare, shëndetësinë dhe fuqizimin e grave.

Gjatë luftës në Kosovë, në pranverën e vitit 1999, Brovina u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burgim. Për lirimin e saj u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe institucione nga vende të ndryshme.

Pas luftës, Brovina iu angazhua edhe jetës politike. Ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës dhe ishte një prej nënshkrueseve të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Flora Brovina ishte gjithashtu kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një rol përmes të cilit vazhdoi kontributin e saj në jetën kulturore dhe letrare të vendit.

Për shumë vite, me të pata një bashkëpunim të afërt. Anëtarësimi im në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës më krijoi mundësi për takime të shumta me Florën, intervista dhe bashkëbisedime rreth letërsisë, kulturës dhe zhvillimeve shoqërore.

Nga ky bashkëpunim ruaj kujtime të veçanta dhe një mirënjohje të thellë për Florën, për zemrën e saj të madhe, për humanizmin, ngrohtësinë dhe gatishmërinë për të vlerësuar e mbështetur njerëzit që e rrethonin. Ajo dinte të krijonte afërsi dhe t’u jepte hapësirë të tjerëve, duke lënë pas kujtime të çmuara te bashkëpunëtorët dhe miqtë e saj.

Me akademinë përkujtimore, homazhet dhe ceremoninë e varrimit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë i kanë dhënë lamtumirën e fundit Flora Brovinës.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *