Qytetarët e Serbisë votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë të rrisin përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Serbisë përmes listës së përbashkët zgjedhore, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”.
Zgjedhjet po mbahen në një klimë të tensionuar politike, të shoqëruar nga pakënaqësitë qytetare dhe protestat masive studentore kundër korrupsionit dhe tendencave autoritare. Protestat u nxitën nga tragjedia e nëntorit 2024 në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor. Që nga ajo kohë, lëvizja studentore ka fituar mbështetje të gjerë në shoqërinë serbe, duke u shndërruar në një faktor të rëndësishëm të skenës politike.
Alleksandar Vuçiq mbetet një nga figurat kryesore të politikës serbe, pas më shumë se një dekade në pushtet, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president. Megjithatë, protestat studentore dhe pakënaqësitë e një pjese të konsiderueshme të qytetarëve kanë shtuar presionin ndaj pushtetit të tij. Nga ana tjetër, mbështetësit e Vuçiqit vlerësojnë politikat e tij ekonomike dhe projektet infrastrukturore të realizuara gjatë qeverisjes së tij. Rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë rëndësi të veçantë për të ardhmen politike të vendit dhe për ndikimin që lëvizja studentore mund të ushtrojë në institucionet shtetërore.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme për shqiptarët në Serbi është pjesëmarrja në zgjedhje përmes listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”. Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës synojnë të bashkojnë votat dhe të sigurojnë përfaqësim më të fuqishëm në Parlamentin e Serbisë. Në legjislaturën e kaluar, shqiptarët e Luginës janë përfaqësuar në Kuvendin e Serbisë nga deputeti Shaip Kamberi. Kësaj radhe, synimi është që përmes bashkëpunimit politik dhe mobilizimit të votuesve të rritet numri i përfaqësuesve shqiptarë në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit. Përfaqësimi parlamentar konsiderohet i rëndësishëm për ngritjen e çështjeve që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, zhvillimin ekonomik, arsimin, punësimin dhe përmirësimin e pozitës së tyre institucionale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas të dhënave të publikuara për procesin zgjedhor, të drejtë vote kanë 6.451.292 qytetarë, ndërsa në fletëvotim janë gjithsej 18 lista zgjedhore me 2.418 kandidatë. Votimi zhvillohet në 8.392 qendra votimi, të cilat janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00. Qytetarët mund të votojnë në qendrën ku janë të regjistruar në listën zgjedhore, duke paraqitur një dokument të vlefshëm identifikimi, si letërnjoftimi ose pasaporta. Votuesit që ndodhen në qendrën e votimit në momentin e mbylljes së saj lejohen ta ushtrojnë të drejtën e votës, sipas rregullave zgjedhore.
Sipas raportimeve të mediave vendase, janë hapur edhe qendra të posaçme votimi për qytetarët me të drejtë vote nga Kosova. Votimi është organizuar në disa lokacione, përfshirë Vranjën, Kurshumlin, Rashkën dhe Tutinin. Në Vranjë, sipas të dhënave të raportuara, janë 66.439 votues dhe 113 vendvotime, ndërsa në rrethin e Pçinjës numri i votuesve arrin në 199.058.
Në këto zgjedhje garojnë 18 lista zgjedhore, ndër të cilat janë lista e Aleksandar Vuçiqit, lista e Ivica Daçiqit, lista studentore “Studentët Fitojnë”, koalicione opozitare dhe lista të partive që përfaqësojnë pakicat kombëtare. Në mesin e tyre është edhe “Koalicioni Shqiptar”, i cili synon të sigurojë përfaqësim më të madh të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
18 lista zgjedhore para votuesve:
1. ”Aleksandar Vuçiç – Serbia e Bashkuar”
2. “Ivica Daçiç – Faktori i Stabilitetit”
3. “Lista e Studentëve – Studentët Fitojnë”
4. “Rasim Ljajić – SDP/CDP Popullore” (Lista zgjedhore e pakicës kombëtare boshnjake)
5. “Bashkimi i Hungarezëve të Vojvodinës – Dr. Balint Pastor” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare hungareze)
6. “Lëvizja për Bashkim Usame Zukorlić” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare boshnjake)
7. “Partia Ruse Serbia në BRICS – Slobodan Nikolić” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare ruse)
8. “E Djathta Autentike – Dr. Miloš Jovanović – DSS e Re – Monarkistët, Koalicioni Serb – Shpresa, Alternativa Demokratike Kombëtare, Partia e Re Demokratike e Serbisë, Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë, Serbia e Trimë”.
9. “Serbia Europiane: Marinika Tepić, Zdravko Ponos, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, Zemra e Qendrës Serbe, Solidariteti, Vetëmbrojtja, Çlirimi”
10. “SDA Sanxhak – Gardianët e Sanxhakut” (Lista zgjedhore e pakicës kombëtare boshnjake)
11. “Bogoljub Kariq – Lëvizja e Forcave Serbe – BK”
12. “Partia Liberale e Gjelbër – për një Serbi të lirë dhe më të pastër”
13. “Unë zgjedh drejtësinë – Unë zgjedh të ardhmen – Forca e koalicionit – Prof. Dr. Ferid Bulić – Vasilios Provelegios – Partia e së Ardhmes dhe Zhvillimit – Partia Qytetare e Grekëve të Serbisë” (lista zgjedhore e pakicave kombëtare boshnjake dhe greke)
14. “Partia e Unitetit Ruso-Serb – Rusët dhe Serbët Vëllezër Përgjithmonë” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare ruse)
15. “Babi, kjo është për ty – Petar Gjuriç – Kryeministër i Serbisë”
16. “Vladimir Gajić – Alternativa për Serbinë – Partia Popullore, Rebelimi – Serbia e Vërtetë”
17. “Koalicioni Shqiptar” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare shqiptare)
18. “Nëna Serbi – Gruda” (lista zgjedhore e pakicës kombëtare sllovake)
Sipas rregullave zgjedhore, partitë dhe koalicionet që nuk përfaqësojnë pakicat kombëtare duhet të kalojnë pragun zgjedhor prej 3 për qind për të marrë pjesë në shpërndarjen e mandateve. Për listat e pakicave kombëtare zbatohet i ashtuquajturi prag natyror, i cili u mundëson atyre të marrin pjesë në shpërndarjen e mandateve edhe nëse nuk arrijnë pragun e zakonshëm prej 3 për qind. Ky mekanizëm ka rëndësi të veçantë për partitë shqiptare, pasi përfaqësimi i tyre parlamentar varet nga votat e fituara dhe mënyra e shpërndarjes së mandateve sipas sistemit zgjedhor.
Përveç garës mes forcave kryesore politike serbe, këto zgjedhje kanë rëndësi të veçantë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Rezultati i “Koalicionit Shqiptar” do të tregojë nëse bashkimi i partive shqiptare mund të përkthehet në përfaqësim më të madh parlamentar dhe në një zë më të fuqishëm në institucionet e Serbisë. Rezultatet e zgjedhjeve pritet të përcaktojnë jo vetëm raportet e forcave politike në vend, por edhe mundësitë për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
