Justina Shiroka-Pula do të inaugurohet sot, të mërkurën, 7 tetor 2026, në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës. Ceremonia e inaugurimit do të mbahet në orën 15:00, në oborrin e Presidencës.
Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Republikës në seancën e Kuvendit të Kosovës, pak para mesnatës së 6 tetorit. Ajo mori 81 nga 83 votat e deputetëve që morën pjesë në procesin e votimit.


Zgjedhja e presidentes së re erdhi pak minuta pas miratimit, në lexim të dytë, të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Me këto zhvillime përfundoi edhe protesta e mbajtur për 21 net me radhë, e organizuar pas dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale.

Kush është Justina Shiroka-Pula?
Justina Shiroka-Pula është akademike dhe ekonomiste, ndërsa para zgjedhjes në krye të shtetit ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Ajo ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë, ku ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1976 ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare i ka vijuar në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, në fushën e Teorisë dhe Politikës së Zhvillimit Ekonomik, ku është diplomuar në vitin 1984.

Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 iu bashkua Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si asistente e lëndës “Kërkimet Operacionale”.
Gjatë karrierës së saj akademike, Shiroka-Pula ka avancuar në të gjitha nivelet universitare dhe në vitin 2004 është zgjedhur profesoreshë ordinare. Ajo ka shërbyer edhe si shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të Universitetit të Prishtinës dhe anëtare e Bordit Drejtues të UP-së.
Ajo ka kryer gjithashtu studime dhe trajnime postdoktorale në institucione universitare jashtë vendit, përfshirë Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara.
Përveç angazhimit akademik, Shiroka-Pula ka pasur edhe një karrierë në institucionet publike të Kosovës. Në periudhën 2008–2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Me inaugurimin e saj, Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
