Preshevë, 10 tetor 2026 – Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks”, që përfshin krijues nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, ka mbajtur Kuvendin e rregullt zgjedhor në ambientet e Bibliotekës së Qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, ku janë zgjedhur organet drejtuese për mandatin e ardhshëm 2026–2030.
Në këtë kuvend morën pjesë anëtarët e shoqatës, të cilët shqyrtuan raportin e punës dhe atë financiar për mandatin e kaluar 2022–2026, si dhe diskutuan për angazhimet dhe sfidat që e presin shoqatën në katërvjeçarin e ardhshëm.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i deritanishëm paraqiti një përmbledhje të punës dhe të gjendjes financiare të shoqatës për periudhën e kaluar. Raporti u miratua nga të pranishmit.
Gjatë procesit zgjedhor, prof. Rexhep Abazi nga Medvegja u rizgjodh kryetar i Kuvendit të Shoqatës, ndërsa për zëvendës të tij u zgjodhën Marigona Fejzullahu-Salihi për Preshevën dhe Halim Hasani për Bujanocin.
Po ashtu, prof. Avni Shaqiri u rizgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” për një mandat të ri. Në postet e nënkryetarëve u zgjodhën Valbona Hasani për Preshevën, Jalldëze Kasumi për Bujanocin dhe Majlinda Shaqiri për Medvegjën.
Edhe përbërja e kryesisë së shoqatës u përcaktua gjatë kuvendit. Nga Presheva, anëtarë të kryesisë u zgjodhën Nexhat Agushi dhe Havushe Kasumi Ahmeti; nga Bujanoci, Nehat Ramizi dhe Sevdail Hyseni; ndërsa nga Medvegja, Majlinda Shaqiri.
Në pikën e fundit të rendit të ditës, anëtarët diskutuan për çështje të ndryshme që lidhen me funksionimin e shoqatës, duke u përqendruar te puna dhe aktivitetet që e presin atë gjatë mandatit të ri.
Kuvendi zgjedhor shënon vazhdimin e veprimtarisë së Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet krijuesve letrarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe për të nxitur zhvillimin dhe promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në këtë trevë.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
