SELIM ZEKA MBLEDH 832 EURO PËR MBROJTJEN E QENVE ENDACAKË – NJË GJEST I MADH HUMANITAR NGA MEDVEGJASIT

Selim Zeka, i njohur për kontributin e tij humanitar në vendlindje, ku falë angazhimit të tij janë realizuar shumë projekte në shërbim të komunitetit, ka mbledhur shumën prej 832 eurosh nga kontribuues medvegjas dhe një familje zvicerane, për të ndihmuar në mbrojtjen dhe trajtimin e qenve endacakë.

Përmes portalit MEDVEGJASOT.COM, Zeka ka bërë të ditur se sot ka takuar njësitin për kapjen e qenve endacakë, me seli në Lipjan të Kosovës, të udhëhequr nga Ahmet Ajeti. Ky i fundit njihet për dashurinë dhe përkushtimin e tij ndaj kafshëve, duke u kujdesur për to në mënyrë profesionale dhe njerëzore.

Njësiti merret me kapjen e qenve endacakë dhe dërgimin e tyre për trajtim veterinar, shërim, sterilizim dhe adoptim, sipas nevojave.

Me këtë rast, Selim Zeka ia ka dorëzuar Ahmet Ajetit shumën prej 832 eurosh, të mbledhur falë bujarisë dhe solidaritetit të kontribuuesve medvegjas dhe një familjeje zvicerane.

Zeka ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë kontribuuesit, duke i falënderuar përzemërsisht për gjestin humanitar dhe, mbi të gjitha, për besimin që i kanë dhënë.

Ai ka shprehur shpresën se në të ardhmen mbështetja do të jetë edhe më e madhe, me qëllim që të ndihmohen sa më shumë kafshë në nevojë dhe të krijohen mundësi për ndërtimin e një strehe të vogël për to.

Kjo nismë dëshmon edhe një herë se solidariteti dhe humanizmi nuk njohin kufij dhe se, përmes angazhimit të përbashkët, mund të realizohen vepra me vlerë për komunitetin dhe për mbrojtjen e kafshëve.

Selim Zeka, nga fshati Siarinë i Medvegjës ka falënderuar edhe një herë të gjithë ata që kontribuuan në këtë nismë, duke shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen dhe besimin e treguar.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *