TRE VITE PA SHABAN ABAZIN – KUJTIMI I NJË MËSIMDHËNËSI, KULTURËTARI DHE INTELEKTUALI

Më 3 tetor 2023, u nda nga jeta, në moshën 56-vjeçare, Shaban Abazi nga fshati Sfircë i Medvegjës. Sot, në trevjetorin e ndarjes së tij nga jeta, familjarët, miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e kujtojnë me respekt një njeri që jetën e tij ia kushtoi arsimit, dijes, kulturës dhe komunitetit. Shaban Abazi lindi më 10 janar 1967 në Sfircë. Rrugëtimin arsimor e nisi në vendlindje, në paralelet e ndara të shkollës fillore “Zenel Hajdini”. Katër vitet e para të shkollimit i përfundoi në Sfircë, ndërsa për të vazhduar mësimin në Banjë të Siarinës, ai dhe bashkëmoshatarët e tij përshkonin mbi tetë kilometra në një drejtim. Ishte një rrugë e vështirë, por që dëshmonte përkushtimin e tij të hershëm ndaj shkollimit. Shkollën e mesme e vazhdoi në Medvegjë, ndërsa dy vitet e fundit i përfundoi në Shkollën e Mesme Ekonomike në Prishtinë, gjatë viteve shkollore 1984/85 dhe 1985/86. Në tetor u regjistrua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin e Zhvillimit Ekonomik. Studimet i ndërpreu përkohësisht për shkak të shërbimit ushtarak në ish-Jugosllavi, të cilin e kreu në Republikën e Kroacisë. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, u kthye në Prishtinë dhe vazhdoi studimet. Vitet e fundit të studimeve universitare i përjetoi në një periudhë të vështirë politike. Ligjëratat zhvilloheshin në ambiente të ndryshme, në të ashtuquajturat “shtëpi-shkolla”, përfshirë Xhaminë e Llapit, Medresenë dhe Bregun e Diellit. Pavarësisht vështirësive dhe presioneve të kohës, Abazi nuk hoqi dorë nga arsimimi.

ARSIMI, NJË MISION I JETËS

Përvoja e tij në arsim nisi në vitet ’90. Si i ri dhe i diplomuar në Fakultetin Ekonomik, në vitin shkollor 1993/94 u punësua në shkollën e mesme “Ulpiana” në Lipjan. Mësimi zhvillohej në objektin e shkollës fillore “Emin Duraku” në Banullë. Ishin vite të vështira për arsimin shqip në Kosovë. Mësimi zhvillohej në kushte të rënda dhe shpesh me mungesë të mjeteve elementare. Megjithatë, për Abazin, puna me nxënësit ishte një mision dhe një përgjegjësi. Në këtë shkollë punoi edhe gjatë vitit shkollor 1994/95, përpara se të largohej për arsye familjare. Pas përfundimit të luftës, ai u angazhua në detyra të Qeverisë së Përkohshme, në Bashkësinë Lokale nr. 5 në Ulpianë të Prishtinës, ku punoi deri në tetor të vitit 2003. Në të njëjtin vit iu rikthye profesionit të mësimdhënësit. Filloi punën në shkollën e mesme “Hoxhë Kadri Prishtina” në Fushë Kosovë, ku mësimi zhvillohej në objektin e shkollës fillore “Mihajl Grameno”. Më vonë, kjo shkollë u integrua me drejtimet e gjimnazit dhe teknikës dhe mori emrin “Hivzi Sulejmani”.

DIJA E PËRCJELLË EDHE PËRMES LIBRIT

Shaban Abazi nuk u ndal vetëm te puna në klasë. Ai vazhdoi të zhvillohej profesionalisht dhe në vitin 2012 përfundoi të gjitha provimet pranë Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, duke marrë titullin “Kontabilist i Certifikuar”. Po atë vit përfundoi edhe studimet master në fushën e kontabilitetit në Kolegjin “Globus” në Prishtinë. Përvojën e tij profesionale dhe pedagogjike e la edhe në formë të shkruar. Ai botoi librin “Kontabiliteti për klasën e dhjetë të shkollave të mesme profesionale”, një tekst i dedikuar nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj fushe. Vepra u recensua nga dr. Isa Tahiri dhe dr. Shefket Jakupi, ndërsa lektor ishte prof. Asllan Qyqalla. Abazi kishte përgatitur gjithashtu materiale për kontabilitetin për klasat e 11-ta dhe të 12-ta, duke synuar që përvoja e tij profesionale t’u shërbente brezave të rinj.

NJERIU I KULTURËS DHE I TRADITËS

Krahas arsimit dhe profesionit, Shaban Abazi ishte i lidhur ngushtë edhe me kulturën shqiptare. Ishte anëtar i SHKA “Shkëndija” në Hajvali, ku merrej me këndim dhe luante në çifteli. Dashurinë për këngën dhe traditën e ruajti gjatë gjithë jetës. Ai ishte gjithashtu pjesë e Shoqërisë Kulturore “Shqiponjat e Medvegjës”, me të cilën performoi në vendlindje dhe në aktivitete të ndryshme kulturore, duke përfshirë edhe paraqitje televizive. Përmes këtij angazhimi, Abazi kontribuoi në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës kulturore të trevës së Medvegjës.

PISHTAR I DIJES DHE I LIRISË

Krahas kontributit në arsim, Shaban Abazi u kujtua edhe për angazhimin e tij në luftën çlirimtare. Bashkëluftëtarët e tij e përshkruan si një njeri të qetë, modest, të urtë dhe me vlera të larta njerëzore, i cili iu bashkua luftës për çlirimin e vendit. Në Akademinë Përkujtimore të organizuar në njëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, më 3 tetor 2024, në amfiteatrin e shkollës profesionale “Hoxhë Kadri Prishtina” në Fushë Kosovë, figura dhe vepra e tij u kujtuan nga familjarë, kolegë, ish-kolegë, nxënës, ish-nxënës dhe përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit. Akademia nisi me intonimin e Himnit Kombëtar dhe atij Shtetëror, ndërsa të pranishmit nderuan me një minutë heshtje kujtimin e profesor Shaban Abazit. Në fjalën e hapjes, profesor Hajredin Kabashi vlerësoi veprimtarinë e tij dhe veçoi kontributin në luftë, si pjesëtar i UÇK-së, si dhe kontributin e tij në arsimimin dhe edukimin e brezave.

Drejtori i shkollës së mesme profesionale “Hoxhë Kadri Prishtina”, Ukshin Uka, kujtoi punën dhe angazhimin e tij profesional, duke e cilësuar Abazin si një bashkëpunëtor me vlera të larta njerëzore dhe profesionale. Në fjalën e tij ai përcolli edhe mesazhin: “Le të angazhohemi në vlerat që na la ai.” Përfaqësuesi i Drejtorisë së Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, e cilësoi figurën e profesor Abazit si një vlerë të shtuar për komunitetin dhe arsimin.

Kujtime për jetën dhe veprimtarinë e tij solli edhe profesori nga Medvegja, Gani Krasniqi, ndërsa bashkëluftëtari i tij, Jakup Ismajli, rrëfeu kujtime nga koha e luftës dhe vlerësoi figurën e Abazit si një njeri me virtyte të shumta. Për kontributin e tij si profesor i lëndëve ekonomike dhe autor i librave profesionalë foli edhe kolegu i tij, profesori Arif Zogjani. Një nga ish-nxënëset e tij, Vesa Mala, e kujtoi profesorin Shaban Abazi si një “pishtar drite” në përcjelljen e dijes profesionale dhe si një mësimdhënës të afërt me nxënësit.

TRE VITE PAS IKJES

Sot, tre vite pas ndarjes së tij nga jeta, Shaban Abazi kujtohet për rrugëtimin e tij të gjatë në arsim, përkushtimin ndaj nxënësve, kontributin në kulturë dhe punën profesionale. Nga rrugët e Sfircës dhe Banjës së Sijarinës, deri te auditorët e Universitetit të Prishtinës, klasat e shkollave dhe librat e tij, jeta e Shaban Abazit ishte një rrugëtim i lidhur me dijen dhe përkushtimin.

Njeriu ndahet nga jeta, por jo nga kujtesa. Shaban Abazi mbetet i pranishëm përmes nxënësve që mësoi, librave që la pas, kulturës që kultivoi dhe kujtimeve të njerëzve që e njohën dhe bashkëpunuan me të.

Tre vite pa të, por me kujtimin e tij përherë në mesin e atyre që e deshën dhe e respektuan. 

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *