Osman Selmani, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe në korrik të këtij viti, është liruar nga paraburgimi në Beograd.
Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Florie Selmani, përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur gëzimin e familjes pas lirimit të tij.
“Me shumë gëzim dhe falënderim ndaj Zotit, ju njoftojmë se sot, më 21.09.2026, babai ynë, Osman Selmani, është liruar nga paraburgimi në Beograd”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, familjarët janë takuar me Osman Selmanin në pikën kufitare në Merdare, pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe ankthi.
“Sapo u takuam me babanë tonë në pikën kufitare në Merdare. Pas kaq shumë ditësh ankthi, malli dhe pritjeje, ky është një nga momentet më të lumtura për familjen tonë”, ka shkruar Florie Selmani.
Ajo ka shprehur gjithashtu mirënjohje ndaj të gjithë personave që e kanë mbështetur familjen gjatë periudhës së paraburgimit.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
