Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se subjektet politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për krijimin e një liste të përbashkët zgjedhore, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”, për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 tetor në Serbi.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se marrëveshja u arrit pas bisedimeve dhe përpjekjeve për afrimin e qëndrimeve mes subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës.
Ai falënderoi kryetarët e subjekteve politike Shaip Kamberin (PVD), Visar Memetin (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedinin (PDSH), Shqiprim Musliun (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliun (AL) dhe Naser Azirin (UDSH), për angazhimin në arritjen e marrëveshjes së përbashkët.
Kurti vlerësoi gjithashtu kontributin e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepit, kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinanit, kryetarit të Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitit, përfaqësuesve nga Medvegja, Bajram Mustafës e Arben Feratit, si dhe përfaqësueses nga Pazari i Ri, Amina Nurës.
Sipas Kurtit, bashkimi politik përmes “Koalicionit Shqiptar” është vetëm një hap i parë. Ai ka ngritur edhe çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e Serbisë, duke e krahasuar atë me përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se në fokus të angazhimit duhet të jenë edhe të drejtat dhe identiteti i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë çështjen e pasivizimit të adresave, përfaqësimin në institucionet publike, zhvillimin ekonomik, si dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës, simboleve dhe kujtesës.
Në fund, Kurti ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, duke e cilësuar këtë angazhim si të vazhdueshëm për barazi, dinjitet dhe mirëqenie.
Tre kandidatët e parë të listës janë Shaip Kamberi nga PVD në Bujanoc, Visar Mehmeti nga APN në Preshevë dhe Bajram Mustafa nga PD në Medvegjë.

Bashkimi i partive shqiptare në Luginën e Preshevës është shoqëruar ndër vite me rezultate më të mira zgjedhore dhe përfaqësim më të madh në Kuvendin e Serbisë. Kur partitë shqiptare kanë garuar të ndara, përfaqësimi i tyre në parlamentin serb ka qenë kryesisht i kufizuar, ndërsa në vitet e fundit zëri i shqiptarëve është përfaqësuar kryesisht nga Shaip Kamberi.
Një pikë kthese shënoi viti 2020, kur për herë të parë partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës u bashkuan në një listë të vetme për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Nën emrin “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, lista shqiptare mori 26,437 vota, ose 0.82 për qind të votave, rezultat që u përkthye në tre mandate në Kuvendin e Serbisë, i cili ka 250 ulëse.
Ky rezultat përbënte një nga përfaqësimet më të mëdha parlamentare të shqiptarëve të Luginës në institucionet qendrore të Serbisë dhe tregoi ndikimin elektoral të garimit të përbashkët të subjekteve politike shqiptare.
Shkruar nga Rrahman Hyseni




