KURTI PRET PËRFAQËSUESIT POLITIKË TË SHQIPTARËVE TË LUGINËS

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në ditën e dytë të punës pas rizgjedhjes në këtë detyrë.

Në takim morën pjesë përfaqësues të subjekteve politike shqiptare të Luginës, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si dhe Arben Ferati nga Medvegja.

Sipas Kurtit, takimi u përqendrua në sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë, si dhe në nevojën për bashkërendim politik, mbrojtjen e të drejtave dhe forcimin e përfaqësimit të tyre, veçanërisht në parlament.

Kurti theksoi se, pavarësisht dallimeve partiake, bashkëpunimi dhe përgjegjësia e përbashkët duhet të jenë në funksion të interesit të qytetarëve.

Ai deklaroi gjithashtu se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbetet një zotim i vazhdueshëm, me fokus në mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *