Partia Demokratike ka njoftuar se subjektet politike shqiptare nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, të parapara të mbahen më 25 tetor 2026.
Sipas PD-së, marrëveshja është rezultat i një procesi të gjatë bisedimesh dhe koordinimi ndërmjet subjekteve politike shqiptare, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në listën e përbashkët janë përfshirë subjektet politike shqiptare nga të tria komunat e Luginës së Preshevës. Partia Demokratike e cilëson këtë si një hap drejt bashkimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe pasqyrimit të nevojave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës.
Një nga veçoritë e kësaj marrëveshjeje është kandidatura e parë e PD-së nga Medvegja. Bajram Mustafa, kryetar i degës së Partisë Demokratike në Medvegjë, është vendosur në numrin 3 të listës së përbashkët.

Sipas PD-së, përfshirja e një kandidati nga Medvegja synon që problemet dhe interesat e shqiptarëve të kësaj komune të marrin përfaqësim të drejtpërdrejtë në nivelin qendror të Serbisë.
Në njoftim përmenden si ndër sfidat kryesore të shqiptarëve në Medvegjë pasivizimi i adresave, rënia e përfaqësimit në institucionet publike, vështirësitë në integrimin institucional dhe ekonomik, si dhe ruajtja e identitetit, gjuhës dhe të drejtave të komunitetit shqiptar.
PD-ja e konsideron kandidaturën e Bajram Mustafës në numrin 3 si një moment të rëndësishëm për Medvegjën, duke theksuar se për herë të parë një kandidat nga kjo komunë përfshihet në një pozitë të tillë në një listë të përbashkët shqiptare për zgjedhjet parlamentare.
Në fund të njoftimit, Partia Demokratike thekson nevojën për bashkëpunim ndërmjet subjekteve shqiptare, veçanërisht për çështjet që lidhen me të drejtat e komunitetit, zhvillimin ekonomik, përfaqësimin institucional, arsimin, përdorimin e gjuhës dhe ruajtjen e identitetit.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
