Flora Brovina, pediatre, poete dhe veprimtare e të drejtave të njeriut, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Ajo do të kujtohet për kontributin e saj në mbrojtje të grave dhe fëmijëve, veçanërisht gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Gjatë luftës, Brovina u angazhua në organizimin e ndihmës për civilët dhe personat e prekur nga dhuna. Në Prishtinë, ajo themeloi dhe drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, e cila ofronte mbështetje mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës seksuale dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, autoritetet serbe e arrestuan dhe e dënuan me 12 vjet burg, nën akuzën për “veprimtari terroriste”. Pas ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar dhe përfundimit të luftës, Brovina u lirua më 1 nëntor 2000.
Pas luftës, ajo vijoi angazhimin e saj publik dhe politik. Në vitin 2001 u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në qershor 2002 iu bashkua Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Në tetor 2006 u zgjodh në kryesinë e kësaj partie.
Brovina u rizgjodh deputete në zgjedhjet e përgjithshme të viteve 2004, 2007 dhe 2010, duke mbetur aktive në jetën politike e shoqërore të Kosovës.
Përgjatë veprimtarisë së saj, Flora Brovina u angazhua veçanërisht për të drejtat e grave dhe fëmijëve, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në shoqërinë kosovare dhe në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.
Me rastin e ndarjes së saj nga jeta, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan veprimtarinë e saj. Kujtimi për Flora Brovinën dhe kontributi i saj në shërbim të shoqërisë do të mbeten pjesë e kujtesës së Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
Shkruar nga Rrahman Hyseni
