Prishtinë, 12 shtator 2026 – Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka falënderuar rreth 100 mijë qytetarë që iu bashkuan sot Marshit për Liri në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një manifestim të madh paqësor në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesës për drejtësi.

Sipas platformës, në marsh morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, komunat e Kosovës dhe diaspora, të bashkuar rreth mesazhit “Liri për çlirimtarët!”.
Në një deklaratë falënderimi, “Liria Ka Emër” shprehu mirënjohje për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, përfaqësuesit institucionalë e politikë, artistët, sportistët, organizatat, bizneset, mediat dhe vullnetarët që kontribuuan në organizimin e marshit.


Platforma e cilësoi protestën si një shprehje solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke theksuar se mesazhi kryesor ishte mbështetja për të vërtetën, drejtësinë dhe historinë e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Liria Ka Emër” i ka drejtuar vëmendjen e opinionit publik te 16 shtatori, datë në të cilën, sipas saj, pritet të merret një vendim për ish-krerët e UÇK-së.
“Liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin”, thuhet në deklaratën e platformës, e cila përfundon me thirrjen për shpalljen e tyre të pafajshëm.

Platforma ka vlerësuar se marshi dëshmoi edhe një herë gatishmërinë e qytetarëve të Kosovës për t’u bashkuar në mbështetje të lirisë dhe të drejtësisë.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
