FADIL SELMANI MERR DREJTIMIN E LSHPMBZ-LUGINAS: “DO TË VAZHDOJMË ME DINAMIKË TË SHTUAR PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE TË LUGINËS”

Fadil Selmani është zgjedhur kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër (LSHPMBZ-Luginas), në Kuvendin e IV-t zgjedhor, të mbajtur më 5 shtator 2026 në Bern.

Pas marrjes së mandatit të ri, Selmani ka shprehur mirënjohjen për shoqatat anëtare për besimin e dhënë, ndërsa ka falënderuar edhe kryesitë e mëparshme për kontributin e tyre në funksionimin dhe konsolidimin e kësaj organizate.

Në mesazhin e tij, Selmani ka vlerësuar mbështetjen e ambasadave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Zvicër, si dhe të përfaqësuesve të tyre diplomatikë, duke theksuar se kjo mbështetje ka qenë e pranishme që nga themelimi i LSHPMBZ-së, më 20 tetor 2021 në Zürich.

Ai ka veçuar gjithashtu kontributin e Sekretarit të Parë të Ambasadës së Shqipërisë në Bern, Valon Gashi, për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Zvicër.

LSHPMBZ-Luginas përfaqëson një rrjet prej 24 shoqatash shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilat veprojnë në Zvicër. Sipas Selmanit, organizimi synon të luajë një rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe forcimin e komunitetit shqiptar në Zvicër, si dhe në adresimin e çështjeve që lidhen me të drejtat dhe identitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në mandatin e ri, Selmani ka paralajmëruar vazhdimin e projekteve të nisura nga kryesia e mëparshme, përfshirë digjitalizimin, platformën “Altak” dhe projekte të tjera konkrete. Ai ka theksuar gjithashtu se do të ruajë paanshmërinë politike dhe se nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme të shoqatave anëtare.

Një prej objektivave të veçanta të mandatit të ri, sipas tij, do të jetë edhe realizimi i projektit për ndërtimin e shtëpisë për familjen e dëshmorit të kombit Florim Rushiti-Kingji në Kapit të Medvegjës, projekt për të cilin Selmani thotë se është angazhuar së bashku me ekipin e tij pranë SOS Medvegjë-Çamëri.

Në kuadër të angazhimeve të tij të para pas zgjedhjes, Selmani ka njoftuar pjesëmarrjen më 12 shtator në Prishtinë në marshin e paralajmëruar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe trevat e tjera shqiptare që t’i bashkohen këtij organizimi.

Atdheu mbi të gjitha!”, është mesazhi me të cilin Selmani e ka përmbyllur deklaratën e tij pas zgjedhjes në krye të LSHPMBZ-Luginas.

Shkruar nga Rrahman Hyseni 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *