TAKIM NË TIRANË PËR ÇËSHTJET E SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS

Tiranë – Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, dhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, zhvilluan një takim në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Ferit Hoxha.

Në qendër të takimit ishin çështjet me rëndësi për shqiptarët e Luginës së Preshevës, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, përfaqësimin politik dhe institucional, ruajtjen e identitetit kombëtar, arsimin, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e të rinjve.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bujanoc.

Deputeti Shaip Kamberi, përmes një postimi në Facebook, e cilësoi takimin si një bisedë të hapur, vëllazërore dhe përmbajtësore, duke theksuar nevojën për bashkërendim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe përfaqësuesve shqiptarë të Luginës.

Kamberi vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për një mbështetje më të qëndrueshme dhe konkrete, ndërsa theksoi se hapja e Konsullatës në Bujanoc do të kishte rëndësi të veçantë politike dhe simbolike, duke forcuar praninë institucionale të Shqipërisë në Luginën e Preshevës.

Edhe kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, bëri të ditur se gjatë takimit kishte paraqitur qëndrimet e tij për çështjet me rëndësi për shqiptarët e Luginës, me fokus të veçantë te procesi i hapjes së Konsullatës.

Pajaziti deklaroi se Komuna e Bujanocit është e gatshme të përmbushë çdo obligim që është në kompetencën e saj, në mënyrë që procesi të finalizohet sa më shpejt.

Sipas tij, Konsullata e Shqipërisë në Bujanoc do të përbëjë një urë të drejtpërdrejtë bashkëpunimi me qytetarët dhe një hap të rëndësishëm për forcimin e pranisë institucionale të Shqipërisë në Luginën e Preshevës.

Në përfundim, Pajaziti falënderoi ministrin Ferit Hoxha, ambasadorin Bardhyl Canaj dhe diplomacinë shqiptare për angazhimin e vazhdueshëm, duke theksuar: “Konsullata e Shqipërisë në Bujanoc po bëhet realitet!”

Takimi në Tiranë vjen në kuadër të përpjekjeve për një bashkëpunim më të koordinuar dhe institucional ndërmjet Shqipërisë dhe përfaqësuesve politikë e institucionalë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, përmes një postimi në Facebook, bëri të ditur se gjatë takimit theksoi se hapja e Konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës është një kërkesë e kahershme e shqiptarëve.

Rexhepi e vlerësoi këtë institucion si të rëndësishëm për bashkërendimin e politikave dhe për një angazhim më të drejtpërdrejtë institucional në mbështetje të shqiptarëve të Luginës.

Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e Shqipërisë për të qenë pranë shqiptarëve të Luginës jo vetëm me fjalë, por edhe përmes mbështetjes konkrete dhe një angazhimi më të qëndrueshëm.

“Më shumë Shqipëri dhe Kosovë në Luginë”, ishte mesazhi i përcjellë nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *