MUHARREM SALIHU: MEDVEGJA ËSHTË BANKA E PROVËS PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE

Medvegjë – Muharrem Salihu ka reaguar lidhur me vizitat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në zonat e banuara me serbë në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar këtë qasje si një mesazh të qartë politik dhe politikë selektive ndaj shqiptarëve.

Sipas Salihut, në Medvegjë Presidenti Vuçiq ka vizituar vazhdimisht zonat e banuara me serbë, ndërsa nuk ka vizituar fshatrat e banuara me shqiptarë. Ai thekson se kjo nuk mund të konsiderohet rastësi, por pjesë e një politike që, sipas tij, kërkon vëmendje dhe reagim më të madh institucional e politik nga përfaqësuesit shqiptarë.

Salihu ka kritikuar edhe heshtjen e partive shqiptare, duke vlerësuar se reagimet nuk duhet të shfaqen vetëm kur problemet bëhen të pamundura për t’u injoruar.

Në reagimin e tij, ai e vendos në qendër të vëmendjes çështjen e pasivizimit dhe kthimit të adresave të shqiptarëve të Medvegjës, duke e konsideruar atë një nga çështjet themelore për garantimin e të drejtave të shqiptarëve.

“Pa ekzistencë administrative, nuk ka barazi reale. Pa adresë, nuk ka të drejtë të sigurt”, shprehet Salihu, duke theksuar se kthimi i shqiptarëve në evidencat zyrtare është parakusht për një trajtim të barabartë dhe për garantimin e të drejtave themelore.

Ai thotë se i kupton shqetësimet dhe reagimet nga Presheva për vizitat selektive të Presidentit Vuçiq, por nënvizon se Medvegja, sipas tij, e ka përjetuar këtë qasje prej vitesh.

Në fund, Muharrem Salihu apelon që Medvegja të mos mbetet më në periferi të vëmendjes shqiptare.

“Medvegja ka qenë dhe do të mbetet bankë-prova. Në Medvegjë provohet nëse të drejtat e shqiptarëve në Serbi janë parim i panegociueshëm apo thjesht deklaratë politike”, thekson Salihu.

Shkruar nga Rrahman Hyseni 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *