33-VJETORI I TRAGJEDISË SË OHRIT U PËRKUJTUA ME SHFAQJEN E DOKUMENTARIT NË PRISHTINA MALL

Prishtinë, 20 nëntor 2026 – Me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe familjarëve të viktimave, në Prishtina Mall u shfaq dokumentari kushtuar 33-vjetorit të tragjedisë së Ohrit, në nderim të 116 jetëve të humbura në rrëzimin e aeroplanit në linjën Gjenevë–Shkup.

Më 20 nëntor të vitit 1993, një aeroplan i kompanisë ajrore “Avioimpex”, i tipit Yakovlev Yak-42D, u rrëzua në afërsi të aeroportit të Ohrit. Aeroplani po realizonte fluturimin nga Gjeneva e Zvicrës drejt Shkupit, por për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në kryeqytet, fluturimi ishte devijuar drejt aeroportit të Ohrit.

Në bordin e aeroplanit ndodheshin 108 udhëtarë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit. Fillimisht, nga aksidenti humbën jetën 115 persona, ndërsa i mbijetuari i vetëm ndërroi jetë disa ditë më vonë, si pasojë e plagëve të marra. Kështu, numri përfundimtar i viktimave arriti në 116 persona.

Një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve ishin shqiptarë nga Kosova, të cilët jetonin dhe punonin në Zvicër dhe po udhëtonin drejt vendlindjes për t’u bashkuar me familjet e tyre. Kjo tragjedi la pas dhimbje të papërshkrueshme, duke shuar jetët e njerëzve që po ktheheshin pranë më të dashurve të tyre.

Në mesin e të pranishmëve në përkujtimin e organizuar në Prishtina Mall kishte edhe shumë familjarë të viktimave nga Medvegja, të cilët morën pjesë për të nderuar kujtimin e më të dashurve të tyre dhe të të gjitha viktimave nga Medvegja, Kosova dhe viset e tjera shqiptare.

Gjatë këtij aktiviteti përkujtimor, përmes dokumentarit u rikthyen kujtimet për një nga ngjarjet më të rënda të historisë së aviacionit në vend. Ishte një moment reflektimi, dhimbjeje dhe respekti për të gjithë ata që humbën jetën në atë udhëtim tragjik.

Edhe pas 33 vjetësh, shumë pyetje rreth kësaj tragjedie vazhdojnë të mbeten pa përgjigje.Familjarët ende bartin dhimbjen e humbjes, ndërsa kërkimi i së vërtetës, dokumentimi i ngjarjes dhe ruajtja e kujtimit për viktimat mbeten obligim njerëzor dhe moral.

Shfaqja e këtij dokumentari është një dëshmi se koha nuk e fshin kujtimin dhe se brezat e rinj duhet ta njohin historinë e kësaj tragjedie, në mënyrë që emrat dhe jetët e 116 viktimave të mos bien kurrë në harresë.

shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *