Në Miradi të Epërme, Oda e Gërbacit, me pronar Hizer Beka, vazhdon të jetë një nga vendet më të rëndësishme të ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare. Çdo vit, në këtë odë organizohet një mbrëmje e veçantë folklorike dhe tradicionale, ku mblidhen mysafirë nga vende të ndryshme për të shijuar këngën burimore, muzikën popullore dhe mikpritjen shqiptare.
Brendësia e odës është një muze i gjallë i historisë sonë. Ajo është e mbushur me vegla muzikore, veshje kombëtare dhe pajisje tradicionale që dikur janë përdorur nga të parët tanë – baballarët dhe nënat tona. Çdo objekt ruan një histori dhe dëshmon për jetën, kulturën dhe traditat e shqiptarëve të Medvegjës.
Kjo odë nuk ruan vetëm të kaluarën, por e përcjell atë edhe te brezat e rinj, duke i afruar me vlerat, zakonet dhe identitetin kombëtar.
Mbrëmja u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë, e mbushur me mysafirë, këngë folklorike dhe tingujt autentikë të çiftelisë. Një nga figurat më të spikatura të kësaj nate ishte Veli Beka, instrumentalist dhe këngëtar i njohur, i cili ka dalë pikërisht nga kjo odë dhe është rritur me frymën artistike të babait të tij, Hizer Beka. Përmes muzikës dhe veshjeve tradicionale, ai ka promovuar kulturën shqiptare edhe në Zvicër, duke e bërë atë të njohur përtej kufijve.
Për atmosferën artistike të kësaj mbrëmjeje u përkujdesën këngëtarët Haxhi Gjugjaj dhe Mentor Bislimi, të cilët me interpretimet e tyre e bënë këtë takim kulturor një natë të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Edhe këtë vit, Oda e Gërbacit dëshmoi se mbetet një pikëtakim i kulturës, traditës, njerëzve dhe ushqimit tradicional shqiptar. Ajo vazhdon të jetë një simbol i ruajtjes së identitetit kulturor dhe një urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
