Të dielën, më 8 nëntor 2026, shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Në këtë proces zgjedhor garojnë katër lista me gjithsej 107 kandidatë, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike dhe vijnë nga profesione, kualifikime dhe vendbanime të ndryshme.
Sipas renditjes zgjedhore, garimi bëhet me këta numra:
LISTA NR. 1 – LPD–PDSH: Lëvizja e Progresit Demokratik – Shqiprim Musliu (29 kandidatë).
LISTA NR. 2 – PD–LR: Partia Demokratike – Sali Salihi (20 kandidatë).
LISTA NR. 3 – PVD–AL: Partia për Veprim Demokratik (29 kandidatë).
LISTA NR. 4 – APN: Alternativa për Ndryshim – Levent Qazimi (29 kandidatë).
Në komunën e Medvegjës, për zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, votimi do të organizohet në gjashtë vendvotime, të cilat janë të përcaktuara në disa institucione shkollore dhe në Shtëpinë e Kulturës në Medvegjë.
Sipas ndarjes së vendvotimeve, votuesit do të mund të votojnë në këto lokacione: Vendvotimi nr. 1 do të jetë në Shtëpinë e Kulturës në Medvegjë; Vendvotimi nr. 2 në Shkollën Fillore në Banjë të Sijarinës, ku përfshihen votuesit nga Banja e Sijarinës dhe fshati Sijarinë; Vendvotimi nr. 3 në Shkollën Fillore në Tupallë; Vendvotimi nr. 4 në Shkollën Fillore në Sfircë; Vendvotimi nr. 5 në Shkollën Fillore në Ramabajë, ku përfshihen votuesit nga Ramabaja, Gërbaci dhe Starabaja; ndërsa Vendvotimi nr. 6 në Shkollën Fillore në Gjylekreshtë, ku përfshihen votuesit nga Gjylekreshta, Kapiti dhe Llapashtica.
Qytetarët që dëshirojnë të vërtetojnë nëse janë të regjistruar në listën e votuesve, si dhe të informohen se në cilin vendvotim kanë të drejtë të votojnë, mund ta bëjnë këtë përmes platformës elektronike përkatëse të verifikimit të regjistrit të votuesve. https://upit.posebanbirackispisak.gov.rs
Autoritetet dhe qytetarët ftohen që të kontrollojnë me kohë të dhënat e tyre, në mënyrë që ditën e zgjedhjeve të dinë saktësisht vendvotimin ku duhet të paraqiten për të ushtruar të drejtën e votës.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
