Më 7 qershor 2026, qindra pjesëmarrës nga Lugina e Preshevës, diaspora shqiptare, si dhe përfaqësues institucionesh, biznesesh e organizatash të ndryshme, u mblodhën në Dietikon të Zvicrës në kuadër të aktivitetit tradicional “LUGINA’S DAY 2026”.

Ngjarja kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ndërmjet bashkëatdhetarëve, promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare, si dhe grumbullimin e fondeve për projekte dhe iniciativa në mbështetje të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Përgjatë gjithë ditës, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin një program të pasur artistik e kulturor, i cili krijoi një atmosferë festive dhe ofroi aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat. Aktiviteti shërbeu gjithashtu si një platformë e rëndësishme për rrjetëzim, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash mes anëtarëve të diasporës dhe përfaqësuesve të sektorëve të ndryshëm.

Një nga momentet kulmore të programit ishte paraqitja e grupit të mirënjohur muzikor Elita 5. Me interpretimin e hiteve të tyre më të njohura, ata elektrizuan atmosferën dhe u pritën me entuziazëm të madh nga publiku i pranishëm.

MEDVEGJASOT.com përcolli nga afër zhvillimet e kësaj ngjarjeje, duke sjellë kronika dhe momente të veçanta përmes fotografive.
“LUGINA’S DAY 2026” konfirmoi edhe një herë rëndësinë e bashkimit të diasporës shqiptare dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin dhe mirëqenien e komunitetit në Luginën e Preshevës.
Shkruar nga Rrahman Hyseni

