FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I POEZISË “DRINI POETIK”


I organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Dega e Kukësit e Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini Poetik” u mbajt më 9 dhe 10 qershor në Prishtinë, Prizren dhe Kukës.

Gjatë festivalit u organizuan tri takime letrare, një sesion letrar dhe disa promovime veprash, duke mbledhur poetë, shkrimtarë dhe krijues nga trojet shqiptare dhe vende të ndryshme të botës.

Aktivitetet nisën në Prishtinë me ceremoninë solemne të hapjes, sesione letrare dhe promovime librash. Më 10 qershor, festivali vazhdoi në Prizren dhe Kukës, ku u zhvilluan takime kulturore, vizita në monumente historike dhe manifestimi tradicional poetik “Valët e Drinit”.

Në kuadër të manifestimit letrar “Drini Poetik”, aktivitetet filluan në ambientet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë me sesionin letrar “Mërgimi në Krijimtarinë Letrare”, ku referuan:

Prof. Dr. Adem Zejnullahu,

Trëndafile Molla-Baja,

Prof. Hamdi Hysuka dhe

Dr. Migena Arllati.

Më pas, në segmentin “Vepra e Hapur”, u promovuan botimet më të reja letrare të autorëve Muharrem Elezi me veprën “Tash është vonë”, për të cilën referoi Prof. Hysen Këqiku, Marjeta Shatro-Rrapaj me librin “Magjia e shpirtit”, të prezantuar nga Prof. Dr. Shyqri Galica, njëherit edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Xheladin Mjeku me përmbledhjen poetike “Nën gjethe e kam shtëpinë”, për të cilën referoi Izet Abdyli, si dhe Ibrahim Gashi me librin “Perla zemre”, të prezantuar nga Xheladin Mjeku. Aktiviteti solli në vëmendje krijimtarinë bashkëkohore shqiptare dhe trajtoi temën e mërgimit si një motiv të rëndësishëm në letërsinë shqipe.

Gjatë festivalit, poetë të shumtë interpretuan krijimet e tyre në manifestimet “Lira magjike” në Prishtinë, “Ora e Lidhjes” në Prizren dhe “Valët e Drinit” në Kukës. Juria letrare, me vendim unanim, ndau çmimet: “Metafora I” për Besim Arifin, “Metafora II” për Raffaele Lacaruson nga Italia, “Metafora III” për Zeqir Bekollin, ndërsa Blerina Krasniqi u shpërblye me komplet veprash të Institutit Albanologjik të Prishtinës.



Shkruar nga Rrahman Hyseni