NESËR NË BERN MBAHET TAKIMI I LIDHJES SË SHOQATAVE TË LUGINËS NË ZVICËR

Bern, 4 shtator 2026 – Aktivisti dhe humanisti Fadil Selmani, për MEDVEGJASOT.com, ka njoftuar për mbajtjen e takimit të radhës të Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër (LSHPMBZ – Luginas).

Takimi do të mbahet nesër, më 5 shtator 2026, nga ora 14:00 deri në 15:30, në Allresto, Effingerstrasse 20, 3008 Bern.

Në këtë takim pritet të zhvillohet Kuvendi i katërt, ku do të zgjidhet Kryesia e re e LSHPMBZ-së. Sipas statutit të organizatës, në këtë mandat drejtimi i Lidhjes i takon një përfaqësuesi ose përfaqësueseje nga Medvegja.

Pjesë e takimit do të jetë edhe Ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, z. Ermal Dredha, i cili do të informojë të pranishmit lidhur me rëndësinë e hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bujanoc, një çështje me rëndësi për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Organizatorët kanë ftuar përfaqësuesit e shoqatave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në Zvicër që të marrin pjesë në këtë takim, i cili vlerësohet si i rëndësishëm për bashkëpunimin dhe përfaqësimin e mërgatës së Luginës.

Shkruar nga Rrahman Hyseni 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *