NDAHET NGA JETA VEPRIMTARI, PEDAGOGU DHE AUTORI ISMAIL MUHARREMI (1937–2026)

Me pikëllim të thellë u mor lajmi për ndarjen nga jeta të veprimtarit, pedagogut dhe autorit të njohur Ismail Muharremi, i cili gjatë gjithë jetës së tij dha kontribut të çmuar në arsim, kulturë, publicistikë dhe çështjen kombëtare shqiptare.

I lindur në Tupallë të Medvegjës në vitin 1937, Ismail Muharremi shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Medvegjë, ndërsa arsimin e mesëm në Shkollën Normale të Prishtinës. Fillimisht punoi si mësues në Tupallë, duke kontribuar në edukimin dhe emancipimin e rinisë së asaj treve. Pas shpërnguljes në Fushë Kosovë, vazhdoi punën në arsim dhe njëkohësisht kreu Fakultetin Filozofik, dega Pedagogji.

Gjatë karrierës së tij shërbeu si mësues, referent dhe këshilltar për shkollim të lartë. Për shkak të veprimtarisë dhe bindjeve të tij kombëtare, u përball me përndjekje politike, duke u larguar nga puna në vitin 1990 dhe duke mbetur nën vëzhgim të vazhdueshëm nga regjimi i kohës.

Në vitin 1991 ishte ndër themeluesit e grupit kulturor “Trojet”, me qëllim ruajtjen, kultivimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të Medvegjës. Po ashtu ishte një ndër themeluesit e LDK-së në Fushë Kosovë dhe kontribuoi në veprimtarinë humanitare të Shoqatës “Nëna Terezë”.

Përveç angazhimit arsimor dhe kombëtar, Ismail Muharremi u shqua edhe si autor dhe studiues. Ai la pas një opus të rëndësishëm botimesh, ndër të cilat veçohen “Shqiptarët e Medvegjës nëpër Shekuj”, “Fushë Kosova në Shtjellën e Mbijetesës”, “Klubi i Vendlindjes – Monografi”, “Medvegja Shqiptare në Vorbullën Serbe” dhe “Gjurmë të Krimit”, vepër kushtuar 75-vjetorit të zhdukjes së shqiptarëve nga Sfirca dhe Gërbaci.

Për veprën dhe kontributin e tij në arsim, kulturë dhe çështjen kombëtare, u nderua me medalje dhe mirënjohje të shumta nga institucione dhe shoqata të ndryshme.

Ndarja nga jeta e Ismail Muharremit përbën një humbje të madhe për familjen, miqtë, bashkëvendësit dhe për gjithë ata që vlerësojnë punën e tij të palodhur në shërbim të arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Lavdi jetës dhe veprës së Ismail Muharremit (1937–2026)!
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *