FESTIVALI FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR “DIASPORA JEHON” – EDICIONI II NË RENENS TË ZVICRËS, MË 5 – 6 SHTATOR 2026

Më 5–6 shtator 2026, në Renens të Zvicrës, u mbajt edicioni i dytë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Diaspora Jehon”, një ngjarje e rëndësishme kulturore që bashkoi artistë e ansamble shqiptare nga Kosova dhe diaspora.

Në festival mori pjesë edhe Erodita Qorkadiu – Haxhiu etnologe/kulturologe, mysafire dhe bashkëpunëtore e festivalit, e cila vlerësoi rëndësinë e këtij organizimi në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Një falënderim i veçantë iu kushtua drejtoreshës së festivalit, znj. Fatime Kalimashi, për punën, përkushtimin dhe angazhimin e palodhur në realizimin e këtij takimi kulturor, i cili, përkundër sfidave dhe vështirësive, arrin të bashkojë shqiptarët përmes artit, folklorit dhe trashëgimisë sonë.

Festivali u karakterizua nga një atmosferë e mbushur me kulturë, art, emocion dhe krenari shqiptare, duke dëshmuar se trashëgimia kulturore shpirtërore dhe jomateriale është një ndër shtyllat kryesore të identitetit tonë.

Përmes valleve, këngëve, riteve, veshjeve, dokeve dhe zakoneve tradicionale, pjesëmarrësit sollën në skenë histori dhe kujtesë të trashëguar brez pas brezi. Këto vlera marrin një rëndësi edhe më të madhe në diasporë, ku kultura bëhet urë lidhëse me rrënjët dhe me atdheun.

Juria vlerësoi ansamblet pjesëmarrëse me këto çmime:

🥇 Çmimi i Parë: AKV “Dardanët” – Gjermani

🥈 Çmimi i Dytë: AKV “Anamorava” – Viti

🥉 Çmimi i Tretë: AKV “Hyjnesha” – Graz, Austri

Një vlerësim i veçantë iu kushtua AKV “Anamorava” nga Viti, e cila ishte e vetmja përfaqësuese garuese e Kosovës dhe u nderua me Çmimin e Dytë. Nën drejtimin e z. Arianit Hetemi, të rinjtë dhe të rejat e ansamblit prezantuan me dinjitet folklorin dhe traditën shqiptare.

Mysafir special i këtij edicioni ishte edhe Ansambli nga Deçani, me drejtor z. Genc Tetaj, i cili me repertorin, veshjet karakteristike dhe përvojën e tij shumëvjeçare i dha festivalit një tjetër ngjyrë dhe emocion.

“Diaspora Jehon” dëshmoi edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij. Ajo udhëton me njerëzit tanë, jeton në Kosovë e në diasporë dhe vazhdon të përcillet nga një brez tek tjetri.

Le ta ruajmë trashëgiminë tonë të lashtë, ta përcjellim me dashuri tek brezat e rinj dhe ta bëjmë kulturën shqiptare një urë të përhershme bashkimi, komunikimi dhe paqeje.

Shkruar nga Rrahman Hyseni