SOKOL ISMAJLI – JETA NËN DHUNË, FRIKËSIM DHE FSHIRJE NGA VENDLINDJA

Kjo ngjarje flet për Sokol Ismajlin, një shqiptar nga fshati Gërbac i Medvegjës, jeta e të cilit pasqyron fatin e shumë shqiptarëve të kësaj treve pas përfundimit të luftës së Kosovës. Rrëfimi i tij është dëshmi e gjallë e dhunës policore, frikësimit institucional dhe përpjekjeve sistematike për ta larguar shqiptarin nga vendlindja e vet shekullore.

Në fund të vitit 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, policia dhe ushtria serbe u rikthyen në rajonin e Medvegjës. Ky rikthim solli një atmosferë frike dhe pasigurie mes banorëve shqiptarë. Bastisjet, kërcënimet dhe presioni i vazhdueshëm u bënë pjesë e përditshmërisë. Si pasojë e kësaj gjendjeje, deri në vitin 2001 rreth 90 për qind e shqiptarëve u shpërngulën nga Medvegja. Në mesin e tyre ishte edhe Sokol Ismajli, i cili u detyrua të largohej së bashku me familjen e tij. Në vitin 2001, ai u rikthye në vendlindje dhe vazhdoi jetën në fshatin Gërbac, ku qëndroi deri në vitin 2012, duke u përballur çdo ditë me pasiguri dhe presion.

Ngjarja më e rëndë në jetën e tij ndodhi gjatë vitit 2011. Një zjarr kishte shpërthyer në zonën malore pranë fshatit, dhe policia serbe shkoi në oborrin e shtëpisë së Sokol Ismajlit, duke e urdhëruar që të shkonte ta shuante zjarrin. Ai u shpjegoi se ishte i sëmurë dhe se duhej të kujdesej për bagëtinë, e cila ishte burimi i vetëm i jetesës për familjen e tij. Në vend të mirëkuptimit, policia reagoi me kërcënime. Njëri nga policët i tha se do t’ia digjnin shtëpinë. Sokol Ismajli u përgjigj se nuk mund të shkonte dhe se për zjarrin duhet të mbahej përgjegjësi nga institucionet përkatëse. Pas kësaj, pa asnjë paralajmërim, polici e goditi në kokë me qytë pistolete dhe e shkelmoi disa herë në trup. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:40, në prani të familjes së tij, e cila e përjetoi me tmerr këtë akt dhune brutale. Sipas tij, policët kishin për qëllim ta nxirrnin në mal për ta rrahur edhe më rëndë.

Pas dhunës, Sokol Ismajli u detyrua të kërkonte ndihmë mjekësore. Që nga ajo ditë, ai vuan nga dhimbje të vazhdueshme koke dhe shpine, si pasojë e goditjeve dhe shkelmave të marra. Pavarësisht presioneve dhe rrethanave të vështira, ai arriti ta fitojë gjyqin. Megjithatë, edhe pas kësaj fitoreje ligjore, ai dhe familja e tij nuk u lanë të jetonin të qetë. Në vitin 2012, frikësimet vazhduan natë e ditë, duke e detyruar Sokol Ismajlin që ta lëshonte sërish vendlindjen e tij, me lot në sy, duke u larguar nga toka ku kanë jetuar gjyshi, stërgjyshi dhe mbi dhjetë breza të familjes së tij.

Në vitin 2015, ai u rikthye përsëri në Gërbac, me shpresën se do të mund të jetonte i qetë në shtëpinë e tij. Por padrejtësitë nuk kishin përfunduar. Në vitin 2019, atij iu fshi adresa në mënyrë të padrejtë, duke ia mohuar të drejtën elementare të ekzistencës administrative. Sokol Ismajli ka kërkuar plot tetë herë që t’i rikthehet adresa, por asnjë nga kërkesat e tij nuk është marrë parasysh. Sot, ai jeton pa adresë, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, në vendin ku janë rritur dhe kanë jetuar breza të tërë shqiptarësh. Sipas tij, arsyeja është e vetme: përkatësia e tij shqiptare. Ai shprehet se nuk di më se ku të drejtohet për të kërkuar drejtësi.

Përkundër gjithë këtyre padrejtësive, Sokol Ismajli ka qenë i angazhuar vazhdimisht për komunitetin e tij. Ai ka shërbyer si kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Gërbac, i cili dikur kishte mbi një mijë banorë. Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë, ai u angazhua personalisht, duke mbledhur të dhënat e sakta dhe duke regjistruar 750 banorë shqiptarë. Ky angazhim ishte një nga arsyet kryesore pse në Komunën e Medvegjës rezultoi shifra prej 28 për qind shqiptarë, një e vërtetë që për shumëkënd ishte e papranueshme dhe që, sipas tij, u shoqërua me pasoja të drejtpërdrejta ndaj tij.

Dëshmia e Sokol Ismajlit nuk është vetëm një rrëfim personal, por një pasqyrë e gjendjes së shqiptarëve në Medvegjë, një thirrje për kujtesë, drejtësi dhe mos-harrim, në mënyrë që këto padrejtësi të mos mbeten të heshtura dhe të fshira, ashtu siç u tentua të fshihej edhe vetë ekzistenca e tij në vendlindje.

Shkruar nga Rrahman Hyseni