LLAPUSHNIKU BËRI BASHKË RRETH 100 POETË DHE STUDIUES NË EDICIONIN E IX TË TAKIMEVE “JERONIM DE RADA”

Më 06.06.2026, në Sallën e Kishës “Abraham” në Llapushnik, nën moderimin e znj. Drita Kosumi-Syla, u mbajtën për herë të nëntë me radhë “Takimet e Qershorit – Jeronim De Rada”, një manifestim tashmë tradicional kulturor e letrar, i cili në sofrën e vet mbledh autorë, studiues dhe krijues të shumtë, për të shpalosur vlerat e tyre krijuese dhe intelektuale.

Në hapje të këtij takimi tradicional u mbajtën dy kumtesa kushtuar jetës dhe veprës së albanologut të njohur Aleksandër Stipçeviç, të cilat u lexuan nga Arben Latifi dhe Besim Morina. Ndërkaq, Vilson Culaj paraqiti një kumtesë kushtuar veprimtarisë dhe kontributit të Josip V. Relës.

Kumtesat ngjallën interes të veçantë te të pranishmit, duke vënë në pah figurat e shquara që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në fushën e albanologjisë, kulturës dhe studimeve shqiptare.

Juria profesionale, e përbërë nga personalitete të njohura të fjalës artistike: Ramë Oraca, Maxhun Osmanaj dhe Agim Desku, ndau Çmimin e Parë për Minavere Muja Makën me poezinë “Tri kangjela për De Radën!”. Çmimi i Dytë iu dha Migena Arllatit me poezinë “Tre Shekuj në Një Zemër”, kushtuar 300-vjetorit të arbëreshëve të vendosur në Zarë të Kroacisë. Çmimi i Tretë iu dha Mimoza Zejnullahut me poezinë “Eros”.

Në kuadër të manifestimit u nda edhe Çmimi “Halil Bogaj”, me të cilin këtë vit u nderua krijuesja Zade Kuqi, për kontributin e saj në fushën e letërsisë dhe kulturës.

Takimin e përshëndetën përfaqësuesit dhe Nënkryetari i Komunës së Drenasit, të cilët vlerësuan rëndësinë e kësaj ngjarjeje kulturore dhe rolin e saj në ruajtjen dhe promovimin e vlerave letrare e kombëtare.

Takimet “Jeronim de Rada” vazhdojnë të jenë një urë bashkëpunimi ndërmjet krijuesve dhe studiuesve, duke promovuar vlerat letrare, gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.

Në përmbyllje të manifestimit u organizua një koktej me ushqime tradicionale, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë dhe të forcojnë lidhjet kulturore e artistike.

Ky edicion konfirmoi edhe një herë rëndësinë e Takimeve Tradicionale “Jeronim de Rada” si një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore që promovojnë krijimtarinë dhe identitetin shqiptar.

Shkruan Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *