SHKA “ZAHIR PAJAZITI” VENDI I TRETË NË FESTIVALIN FOLKLORIK MBARËKOMBËTAR “I KËNDOJMË LIRISË” NË KLINË

Shoqëria Kulturore-Artistike “Zahir Pajaziti” nga Podujeva mori pjesë në edicionin e 24-të të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili u mbajt më 6, 7 dhe 8 qershor 2026 në Klinë.

Ky festival tradicional organizohet çdo vit në nderim të luftës për liri, dëshmorëve të kombit dhe figurës së komandantit Mujë Krasniqi, duke mbledhur ansamble, shoqëri kulturore-artistike dhe artistë nga të gjitha trojet shqiptare.

Pjesëmarrja e SHKA “Zahir Pajaziti” në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore ishte një kontribut i çmuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të folklorit shqiptar, traditës kombëtare dhe trashëgimisë sonë kulturore. Përmes këngëve, valleve dhe interpretimeve artistike, shoqëria prezantoi me dinjitet kulturën dhe identitetin e Podujevës.


Një sukses i veçantë për SHKA “Zahir Pajaziti” ishte vlerësimi i dy artisteve të saj, Altina Zymeri dhe Kaltrina Zenuni, të cilat u shpërblyen me çmimin “Dueti më i Mirë”. Ky çmim dëshmon përkushtimin, talentin dhe nivelin e lartë artistik që shoqëria kultivon dhe promovon ndër vite, duke përfaqësuar denjësisht traditën kulturore të Llapit dhe vlerat e muzikës folklorike shqiptare.


Festivali “I Këndojmë Lirisë” vazhdon të mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme folklorike mbarëkombëtare, duke përcjellë mesazhe atdhedashurie, kujtese dhe respekti për sakrificën e dëshmorëve në rrugën drejt lirisë. Pjesëmarrja dhe suksesi i SHKA “Zahir Pajaziti” në këtë festival përbëjnë një dëshmi të gjallë të punës së palodhshme për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare.

Shkruar nga Rrahman Hyseni