Shoqata Humanitare “Medvegja” prej vitesh është një ndër shtyllat kryesore të mbështetjes për komunitetin shqiptar në Medvegjë dhe diasporë. Kontributi i saj përfshin ndihma humanitare, aktivitete kulturore, mbështetje për familjet në nevojë dhe përkrahje të vazhdueshme për shkollat dhe fëmijët shqiptarë.
Sot, MEDVEGJASOT.com sjell për lexuesit tanë intervistën me arkëtarin e Shoqatës, z. Sabit Abazi, i cili ndan përvojat, sfidat dhe krenarinë e punës së tij në shërbim të komunitetit.
MEDVEGJASOT: Si ndiheni për punën dhe angazhimin tuaj në Shoqatën Humanitare “Medvegja”?
Sabit Abazi: Më vjen mirë të them se ndihem shumë krenar për punën dhe kontributin tim në Shoqatë. Unë dhe gjithë familja ime kemi dhënë gjithmonë vullnet e përkushtim për të ndihmuar komunitetin tonë. Kjo punë na jep forcë dhe motivim të vazhdueshëm.
MEDVEGJASOT: A mund të ndani disa prej rasteve humanitare më të rëndësishme ku jeni angazhuar?
Sabit Abazi: Gjatë këtyre viteve kemi pasur shumë raste, por dy prej tyre më kanë prekur thellë: një familje në Medvegjë dhe një tjetër në Siarinë. Në një rast tjetër vizitova një familje pesëanëtarëshe që jetonte në kushte shumë të rënda. Lotët e atyre momenteve nuk harrohen. Sot, të dy familjet jetojnë në shtëpitë e tyre me nga pesë anëtarë dhe kjo na bën të ndihemi të dobishëm.
MEDVEGJASOT: Cilat momente i konsideroni më të vështira, por edhe më të rëndësishme në aktivitetin humanitar?
Sabit Abazi: Një prej momenteve më të vështira ka qenë periudha e tërmetit në Shqipëri. Shpërndarja e ndihmave në ato ditë ishte e lodhshme emocionalisht, por njëkohësisht edhe moment krenarie. Ndihma në ditë të zeza është detyrim njerëzor dhe kombëtar.


MEDVEGJASOT: Ju shpesh keni folur për rëndësinë e shkollave dhe fëmijëve në Medvegjë. Pse është kaq e veçantë kjo temë për ju?
Sabit Abazi: Kam pasur gjithmonë dashuri të madhe për fëmijët dhe shkollat e Medvegjës. Ata janë ambasadorët më të mirë të gjuhës shqipe. Falë tyre, gjuha jonë vazhdon të flitet në vendlindje, edhe sot kur pasivizimi ka shkaktuar dëme të mëdha. Ndihma për ta është nder dhe përgjegjësi.
MEDVEGJASOT: Cilat janë aktivitetet kulturore ku Shoqata ka dhënë kontribut?
Sabit Abazi: Shoqata jonë është angazhuar në shumë aktivitete kulturore si në Zvicër ashtu edhe në Medvegjë. Një prej tyre ka qenë edhe aktiviteti tradicional në Banjë të Siarinës, i cili është mbajtur për 14 vite rresht. Fatkeqësisht sivjet nuk u lejua të mbahej, gjë që na ka pikëlluar të gjithëve.
MEDVEGJASOT: Cila do të ishte porosia juaj për shqiptarët e Medvegjës, kudo që ndodhen?

Sabit Abazi: Në emrin tim personal dhe në emër të Shoqatës, dua të shtoj edhe një thirrje nga zemra: Le ta bashkojmë dijen dhe kohën tonë për të mirën e vendit. Të mos merremi me atë se kujt partie i takon kush, por të fokusohemi në qëllimin e shenjtë – të ndihmojmë këtë vend të bekuar që e kemi amanet nga baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.
Pavarësisht sfidave dhe presioneve që po na imponohen nga pushteti i tanishëm, ne do të vazhdojmë të investojmë dhe të rinovojmë, që kjo tokë të mos boshatiset, por të mbetet gjallë. Që populli shqiptar të vazhdojë të frymojë, të mbijetojë dhe të flasë shqip në Dardaninë antike – në Medvegjën tonë.
Ky është obligimi ynë, kjo është përgjegjësia jonë, dhe kjo është rruga jonë përpara.
Kjo intervistë pasqyron punën e palodhshme të njërit prej bashkëpunëtorëve më aktivë të Shoqatës Humanitare “Medvegja”. Përkushtimi i z. Sabit Abazi është shembull frymëzimi për komunitetin dhe dëshmi e rëndësisë që ka solidariteti në ruajtjen e identitetit dhe mbështetjen e familjeve shqiptare në Medvegjë.
Portali MEDVEGJASOT.com do të vazhdojë të sjellë histori, intervista dhe raportime nga terreni, me qëllim që zëri i komunitetit të dëgjohet kudo.

