AKV “ILIRIDA” – SHTIME

Ansambli Kulturo-Artistik “Ilirida” nga Shtimja, mori pjesë në edicionin e 24-të të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “I Këndojmë Lirisë”, i cili u mbajt më 6, 7 dhe 8 qershor 2026 në Klinë. Festivali tradicional organizohet çdo vit në nderim të luftës për liri, dëshmorëve të kombit dhe figurës së komandantit Mujë Krasniqi – Kapuçi. 


Në këtë festival, ansambli u paraqit me një program të pasur artistik. Hapja u bë me “Vallen e Çikave”, të interpretuar me orkestër live dhe të shoqëruar me këndimin e grupit të vajzave. Më pas, këngëtari Rilind Krasniqi interpretoi këngën “Lulzoj fusha, lulzoj mali”, ndërsa Almir Musliu u prezantua me një këngë kushtuar komandantit Mujë Krasniqi. Programi artistik u përmbyll me interpretimin e “Vallës së Drenicës” nga trupa artistike e valltarëve, e cila u prit me duartrokitje nga publiku i pranishëm.

Një sukses i veçantë për ansamblin ishte vlerësimi me Vendin e Tretë në këtë festival prestigjioz, duke dëshmuar përkushtimin, profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik të anëtarëve të shoqërisë. Ky çmim përbën një mirënjohje të rëndësishme për punën e vazhdueshme në kultivimin dhe promovimin e folklorit burimor shqiptar.


Me paraqitjen e tij dinjitoze, AKV “Ilirida” prezantoi vlerat e pasura të folklorit dhe traditës sonë kombëtare, duke marrë duartrokitjet e publikut dhe vlerësimet e pjesëmarrësve të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare.

Festivali “I Këndojmë Lirisë”, që tashmë ka fituar karakter mbarëkombëtar, vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Kosovë, duke bashkuar ansamble, këngëtarë, valltarë dhe artdashës në frymën e ruajtjes së identitetit, traditës dhe kujtesës historike. 

Shkruar nga Rrahman Hyseni