PORTALI INFORMATIV MEDVEGJASOT.COM URON TË GJITHË SHQIPTARËT ME RASTIN E 28 NËNTORIT – DITËS SË FLAMURIT DHE TË PAVARËSISË

Në këtë ditë të shënuar, portali, revista dhe kanali MedvegjaSot shënojnë gjithashtu një moment të veçantë: më 28 nëntor 2025 mbushen 13 vite punë të pandërprerë – 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.

Gjatë këtyre 13 viteve kemi qenë të përkushtuar ndaj informimit të drejtë, të saktë dhe të paanshëm, çka na ka bërë një nga platformat më të besueshme për komunitetin tonë kudo që ndodhet.

Urime festa e Flamurit! 🇦🇱Faleminderit që na besoni, na lexoni dhe na ndiqni çdo ditë.

28 NËNTORI – DITA HISTORIKE E KOMBIT SHQIPTAR

Më 28 Nëntor 1912, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, u shpall Pavarësia e Shqipërisë – një akt që ndryshoi përgjithmonë fatin e kombit shqiptar. Ky moment historik ishte kulminacioni i përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për liri, tërësi territoriale dhe krijimin e shtetit të tyre të pavarur.

Në këtë ditë, Ismail Qemali, së bashku me delegatët e Kuvendit të Vlorës, ngriti Flamurin Kombëtarnë Vlorë, duke shënuar lindjen e shtetit modern shqiptar.

Shpallja e Pavarësisë i dha fund sundimit pesëshekullor osman dhe krijoi kushte të reja politike për zhvillimin e vendit në aspektin ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Ajo ishte gjithashtu një fitore kundër synimeve të monarkive fqinje, të cilat kërkonin copëtimin e trojeve shqiptare. Ngritja e flamurit në Vlorë u bë simbol i bashkimit dhe vullnetit të të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë kufijve.

28 Nëntori është datë e shenjtë për shqiptarët në të gjitha trevat. Përveç shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kjo ditë lidhet edhe me dy ngjarje të rëndësishme për historinë më të re shqiptare: ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 1997 në Llaushë të Drenicës.

Edhe pse në Kosovë festa zyrtare e pavarësisë shënohet më 17 Shkurt, 28 Nëntori mbetet një prej datave më të respektuara dhe më të ndjera për shqiptarët kudo që jetojnë. Ajo është ditë krenarie, kujtese dhe nderimi për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe shtetësinë shqiptare.

28 Nëntori – dita që bashkon historinë, identitetin dhe emocionet e një kombi.

Transmeton MEDVEGJASOT.com