Akademikut dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, sot iu dha lamtumira e fundit me nderime shtetërore në varrezat e kryeqytetit, në Arbëri.
Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, krerë të shtetit, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë të shumtë, të cilët i dhanë nderimet e fundit njërit prej figurave më të rëndësishme akademike dhe politike të Kosovës.
Veprën dhe kontributin e akademikut Nexhat Daci e nderuan me homazhe dhe në Akademinë Përkujtimore: Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit në detyrë Dimal Basha, kryetari i PDK-së Bedri Hamza, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, Ukë Rugova, djali i Presidentit Historik Ibrahim Rugova, deputeti në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi, Zenel Neziri – kryetar nderi i Shoqatës Humanitare Medvegja, si dhe shumë figura të tjera politike, akademike e institucionale.
Ndryshe, akademik Nexhat Daci vdiq të enjten, më 1 janar, në moshën 81-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në jetën akademike dhe institucionale të Kosovës.
Akademiku Nexhat Daci lindi në Tërnoc të Bujanocit, ku kreu shkollimin fillor, ndërsa arsimin e mesëm e përfundoi në vendlindje dhe në Leskovc në vitin 1960. Studimet universitare për kimi i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit në vitin 1966, ku më pas kreu edhe studimet pasuniversitare (1968). Në vitin 1970 vijoi një kurs pasuniversitar në Liezh të Belgjikës.
Tezën e doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit në vitin 1973, ndërsa studimet pasdoktoratës i vazhdoi në Universitetin e Bradfordit në Angli në vitin 1974.
Që nga viti 1966, Nexhat Daci zhvilloi një karrierë të gjatë dhe të suksesshme akademike në Universitetin e Prishtinës, ku u angazhua si asistent, ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 u zgjodh profesor ordinar. Ai realizoi udhëtime të shumta studimore në vende të ndryshme të botës dhe ishte anëtar i institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Shoqatën e Kimistëve Amerikanë (1985) dhe Akademinë Europiane për Çështje të Mjedisit (1987).
Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa në vitin 1996 u bë anëtar i rregullt. Më pas shërbeu si sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i ASHAK-ut në periudhën 1999–2002. Në vitin 2014 u pranua anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA).
Veprimtaria e tij shkencore u përqendrua në studimin e strukturës së substancave organike dhe inorganike të qymyrit të Kosovës, analizën e hirit të termocentraleve, mbrojtjen e mjedisit si dhe trajtimin e ndotësve të ujërave urbane dhe industriale. Ai ishte autor i disa teksteve universitare dhe monografive, ndër to “Kimia organike” dhe “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”, si dhe bashkautor i studimeve shkencore ndërkombëtare në fushën e kimisë mjedisore.
Përveç kontributit akademik, Nexhat Daci la gjurmë të rëndësishme edhe në jetën politike të Kosovës. Ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri në vitin 2011, kryetar i Kuvendit të Kosovës në periudhën 2001–2006 dhe President në detyrë pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2006. Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë, duke u zgjedhur kryetar i saj dhe duke dhënë kontribut të veçantë në zhvillimet politike të vendit.
Shkruar nga Rrahman Hyseni

