MEDVEGJASOT.com: Z. Salihu, çfarë ju çoi në Uashington dhe cili ishte qëllimi kryesor i këtyre takimeve në Kongresin Amerikan?
Muharrem Salihu: Qëllimi im kryesor ishte ngritja e shqetësimeve të shqiptarëve të Medvegjës dhe Luginës së Preshevës në nivelet më të larta institucionale amerikane, duke sensibilizuar për gjendjen e rënduar dhe për politikat diskriminuese që po përballen këto komunitete.
MEDVEGJASOT.com: Me cilët përfaqësues të Kongresit Amerikan u takuat dhe çfarë u diskutua konkretisht?


Muharrem Salihu: Në Kongresin Amerikan u takova me kongresmenin John Moolenaar dhe me kongresmenin Robert Aderholt. Me ta diskutova në mënyrë të argumentuar situatën aktuale në Luginën e Preshevës, rëndësinë e Rezolutës së miratuar në Komisionin e Punëve të Jashtme dhe nevojën që kjo çështje të mbetet aktive në agjendën e Kongresit.
MEDVEGJASOT.com: Si u pritën shqetësimet tuaja nga kongresmeni John Moolenaar?
Muharrem Salihu: Takimi me kongresmenin Moolenaar ishte i thelluar dhe substancial. Ai konfirmoi mbështetjen e tij për çështjen e shqiptarëve të Luginës dhe u zotua se do ta mbajë këtë temë aktive në agjendën e Kongresit Amerikan.
MEDVEGJASOT.com: Çfarë rëndësie ka takimi me kongresmenin Robert Aderholt për shqiptarët e Luginës së Preshevës?
Muharrem Salihu: Kongresmeni Aderholt është një nga figurat më me ndikim në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Kryetar i Nënkomitetit për Punën, Shëndetësinë dhe Arsimin. Shqetësimet e shqiptarëve të Luginës u dëgjuan me vëmendje dhe interes serioz, çka e bën këtë takim shumë të rëndësishëm për avancimin e çështjes sonë.

MEDVEGJASOT.com: Me kë tjetër u takuat gjatë qëndrimit në Uashington dhe cilat ishin po temat kryesore të diskutimit?
Muharrem Salihu: U takova edhe me Edward P. Joseph, ekspert amerikan për Ballkanin, profesor në Johns Hopkins SAIS University dhe ish-diplomat i SHBA-së. Diskutimi u fokusua në politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve, pasivizimin e adresave dhe rrezikun serioz të humbjes së pronave.
MEDVEGJASOT.com: Si u vlerësua Rezoluta e Kongresit Amerikan për Luginën e Preshevës nga qarqet akademike dhe eksperte amerikane?
Muharrem Salihu: Edward P. Joseph e vlerësoi lart Rezolutën e Kongresit Amerikan për Luginën e Preshevës dhe shprehu gatishmërinë e tij për një angazhim më aktiv në qarqet politike dhe akademike amerikane.
MEDVEGJASOT.com: Çfarë mesazhi përçojnë këto takime për shqiptarët e Medvegjës dhe Luginës së Preshevës?
Muharrem Salihu: Këto takime përfaqësojnë një hap konkret drejt forcimit të zërit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Medvegjës dhe Luginës së Preshevës dhe një sinjal se çështja jonë po merr vëmendje serioze në institucionet amerikane.

Takimi i Muharrem Salihut me Kongresmenin Keith Self, një hap i rëndësishëm për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Takimi i Muharrem Salihut me Kongresmenin Keith Self ishte më shumë se një takim zyrtar — ishte një moment me peshë të veçantë për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe për Salihun personalisht një nder i madh.
Kongresmeni Self njihet si një zë i fuqishëm dhe i paepur i së vërtetës sonë në Kongresin Amerikan, autor i Rezolutës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, të cilën e çoi përpara me vendosmëri, qartësi dhe autoritet moral, duke siguruar mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Komitetit. Angazhimi i tij do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim deri në shndërrimin e saj në ligj të administratës amerikane.
Gjatë takimit, Kongresmeni Self tregoi ndjeshmëri të thellë dhe interes të veçantë ndaj plagës së pasivizimit të adresave, një padrejtësi e rëndë që godet drejtpërdrejt ekzistencën kolektive të shqiptarëve të Luginës. Diskutimet ishin të hapura, të sinqerta dhe të orientuara drejt veprimit konkret. Në këtë kuadër, Salihu i dorëzoi personalisht Kongresmenit Raportin e Helsinkit, ku pasqyrohen shqetësimet e thella dhe të dokumentuara mbi këtë realitet alarmues.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për angazhimin e tij, Salihu pati nderin t’i dhurojë librin “Etnosi i Medvegjës”, si dëshmi e identitetit, historisë dhe qëndrueshmërisë së shqiptarëve të kësaj treve.
Kongresmeni Keith Self mbetet një aleat i fuqishëm dhe adresë e besueshme për drejtësi, për të gjithë ata që refuzojnë të heshtin përballë padrejtësisë.

MEDVEGJASOT.com: Takimet e zhvilluara në Uashington nga Muharrem Salihu dëshmojnë një angazhim serioz dhe të vazhdueshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të Medvegjës dhe Luginës së Preshevës. Ngritja e këtyre shqetësimeve në Kongresin Amerikan dhe në qarqet akademike e diplomatike të SHBA-së përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt sensibilizimit ndërkombëtar dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të shqiptarëve në këtë rajon. Këto përpjekje forcojnë shpresën se zëri i shqiptarëve do të vazhdojë të dëgjohet dhe se çështja e tyre do të mbetet pjesë e agjendës politike ndërkombëtare.

