Sot në Tiranë u mbajt një protestë madhështore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë. Qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë edhe nga Lugina e Preshevës, u bashkuan në kryeqytet duke mbajtur flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së.

Protestuesit kërkuan drejtësi për luftën çlirimtare dhe lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve, duke theksuar se UÇK-ja përfaqësonte rezistencën e drejtë të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.
Në duar mbanin pankarta me mbishkrime si “Liria nuk gjykohet”, “Krenarë për UÇK-në” dhe “Drejtësi për heronjtë tanë”, ndërsa thirrjet “UÇK! UÇK!” jehonin në shesh.

Në protestë morën pjesë edhe figura publike, ish-luftëtarë dhe aktivistë të njohur, të cilët kërkuan që institucionet shqiptare e kosovare të jenë më aktive në mbrojtjen e drejtësisë për luftën çlirimtare.

Protesta nisi me Himnin Kombëtar dhe u shoqërua me thirrje për unitet dhe drejtësi për luftën çlirimtare. Në fjalimet e mbajtura, figura të njohura politike dhe shoqërore theksuan karakterin e drejtë të luftës së UÇK-së dhe kërkuan që drejtësia ndërkombëtare të njohë të vërtetën historike të popullit shqiptar.

Ali Ahmeti i quajti akuzat ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit “trillime ruso-serbe”, ndërsa ish-presidenti Alfred Moisiu deklaroi se “ish-krerët e UÇK-së janë të burgosur pa prova”. Rushdi Keçi theksoi se UÇK ishte “ushtri e një populli të shtypur”, dhe Hysni Gucati tha se “Gjykata Speciale ka humbur çdo besim te shqiptarët”.
Tubimi kaloi i qetë, me mesazhe të qarta uniteti kombëtar dhe solidariteti për të gjithë ata që mbrojtën lirinë e Kosovës.
Shkruan Rrahman Hyseni

