Sot, në ambientet e gjimnazit “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë, u bë përurimi i librit më të ri të poetes medvegjase Majlinda (Linda) Shaqiri, me titullin domethënës “Ju e dini emrin tim, por nuk më njihni mua”.
Ky promovim mblodhi dashamirë të shumtë të artit dhe letërsisë, të cilët përmes fjalës dhe prezencës së tyre përjetuan nga afër krijimtarinë e autores, e njohur për stilin e saj të veçantë poetik.
Libri i ri i Shaqirit sjell një udhëtim shpirtëror dhe reflektues mbi identitetin, jetën dhe ndjeshmërinë njerëzore, duke e vendosur autoren edhe më fuqishëm në skenën letrare shqiptare.
Për librin foli redaktori i veprës, Dan Ibrahimi, i cili vlerësoi poezitë dhe librin e autores, duke theksuar thellësinë artistike, ndjeshmërinë dhe origjinalitetin që përshkojnë krijimtarinë e saj poetike.
Fjalë të mira dhe vlerësime për autoren dhe veprën e saj dha edhe Nurie Maliqi Baduni, e cila në fjalën e saj nënvizoi ndjeshmërinë, forcën shpirtërore dhe mesazhin e sinqertë që përcjell poezia e Majlinda Shaqirit.
Ndërsa Kozeta Zavalani vlerësoi shumë librin dhe punën e autores, duke theksuar përkushtimin, talentin dhe fuqinë e fjalës poetike që e karakterizon krijimtarinë e saj.
Në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Klubit Letrar “Podguri” të Istogut, Nuredin Imeraj me një fjalë rasti para pjesëmarrësve të shumtë theksoi rëndësinë e kultivimit të kulturës së leximit dhe të bashkëpunimit ndërletrar ndërmjet krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Ai gjithashtu shprehu vlerësime për librin dhe punën e autores, duke e cilësuar si një zë të ndjeshëm dhe të fuqishëm të poezisë shqiptare bashkëkohore.
Në këtë ngjarje kulturore mori fjalën edhe Dashamir Uruçi, kryetar i Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili foli për punën dhe përkushtimin e pandalshëm të poetes Linda Shaqiri, duke e vlerësuar lart kontributin e saj kombëtar e letrar dhe angazhimin e vazhdueshëm në promovimin e vlerave shqiptare përmes artit dhe fjalës poetike.
Përurimi u shoqërua me diskutime, lexime poetike dhe duartrokitje të ngrohta nga publiku, duke e kthyer këtë ngjarje në një ditë të veçantë kulturore për Fushë Kosovën dhe më gjerë.
Në programin artistik të promovimit, aktorët e mirënjohur Jahja Shehu dhe Dibran Fyelli lexuan poezi të autores Shaqiri, të cilat u pritën me shumë duartrokitje e emocione nga të pranishmit.
Poezi nga libri i autores lexuan edhe nxënëset Freska Ajvazi dhe Brendona Aliu, të cilat me interpretimin e tyre të ndjeshëm e të bukur përcollën frymën poetike të veprës.

Në fund të këtij eventi të ngrohtë kulturor, mes emocioneve të sinqerta, autorja Majlinda Shaqiri, me lot në sy, falënderoi me zemër familjen e saj për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe Drejtorin e Kulturës në Fushë Kosovë për mbështetjen dhe për mundësimin e këtij promovimi.
Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë të pranishmit që kishin ardhur nga Lugina e Preshevës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi, duke theksuar se bashkimi përmes fjalës, poezisë dhe shpirtit krijues është forca më e bukur e kombit tonë.
Falënderimi i saj ishte i sinqertë, i ndjerë dhe i veçantë — një përmbyllje e ngrohtë e një mbrëmjeje që la gjurmë në kujtesën kulturore të Fushë Kosovës dhe të gjithë pjesëmarrësve.
Shkruan Rrahman Hyseni

