Në Banjë të Siarinës nuk u lejua manifestimi tradicional “Ditët e Diasporës”

Organizuar nga Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër! 

Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër (ShHMZ) ka reaguar pas ndalimit të mbajtjes së manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës” në Banjë të Siarinës. Ky aktivitet, i cili prej vitesh mbledh bashkatdhetarët nga mbarë bota për të ruajtur kulturën, traditën dhe lidhjet me vendlindjen, nuk u lejua të zhvillohej nga autoritetet lokale.

Në reagimin e saj, ShHMZ shpreh zhgënjimin dhe keqardhjen për pengimin e një ngjarjeje që ka karakter kulturor, shoqëror dhe bashkues për komunitetin e Medvegjës, duke theksuar se diaspora mbetet një urë e fortë lidhëse mes vendlindjes dhe mërgatës.

Njoftim i plotë i ShHMZ

Reagim nga Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër (ShHMZ)

Me keqardhje të thellë, Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër reagon ndaj ndalimit të mbajtjes së manifestimit tradicional “Ditët e Diasporës”, i planifikuar të zhvillohej në fshatin Banjë të Siarinës.

Ky aktivitet, që prej shumë vitesh është bërë pikëtakim i rëndësishëm për bashkatdhetarët nga e gjithë diaspora, ka pasur gjithmonë për synim ruajtjen e kulturës, traditës dhe forcimin e lidhjeve me vendlindjen.

Ndalimi i tij nga autoritetet lokale përbën jo vetëm një pengesë për organizimin e një feste kulturore e shoqërore, por edhe një goditje ndaj përpjekjeve të diasporës për të kontribuar në jetën e komunitetit në vendlindje.

Ne, si ShHMZ, theksojmë se diaspora e Medvegjës ka qenë gjithmonë një urë e fortë lidhëse mes vendlindjes dhe mërgatës, duke ofruar ndihmë humanitare, përkrahje kulturore dhe projekte zhvillimore.

Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë faktorëve përgjegjës që ngjarje të tilla të mos pengohen, por përkundrazi të mbështeten, pasi ato përfaqësojnë identitetin, bashkimin dhe dashurinë për vendlindjen.

Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër.