INTERVISTË ME ABAZ ALIUN: “KËNGËN POPULLORE E KEMI TRADITË FAMILJARE”

Abaz Aliu, këngëtar i njohur i muzikës folklorike e popullore, ka lindur në Tupallë të Medvegjës. Dashurinë për muzikën e trashëgoi nga babai i tij, i cili ekzekutonte në instrumente frymore. Xhirimet e para i realizoi në Radiotelevizionin e Prishtinës gjatë viteve 1978-79 dhe prej atëherë e deri sot, ai mbetet një zë i njohur i skenës muzikore shqiptare.

MEDVEGJASOT: Kur keni filluar të merreni me këngën?
ABAZ ALIU: Me këngën kam filluar të merrem rreth vitit 1978.

MEDVEGJASOT: E keni trashëguar nga dikush në familje?
ABAZ ALIU: Po. Edhe babai im është marrë me muzikë, ka luajtur në instrumente frymore.

MEDVEGJASOT: Çfarë ju shtyu drejt muzikës folklorike?
ABAZ ALIU: Pa dyshim, dëshira e flaktë për këngën dhe inspirimi që e mora nga babai.

MEDVEGJASOT: Në cilin zhanër ndiheni më mirë – folklor apo popullore?
ABAZ ALIU: Në të dyja ndihem mirë, sepse më flenë në shpirt.

MEDVEGJASOT: A ka pasur rapsodë të njohur në vendlindjen tuaj?
ABAZ ALIU: Po. Njëri nga më të njohurit ishte Imer Emini.

MEDVEGJASOT: Me kë keni bashkëpunuar gjatë karrierës?
ABAZ ALIU: Përveç grupit tim “Hajvalia”, kam bashkëpunuar me grupin “Sevdalite” për disa vite, si dhe me këngëtarë si Jakup e Demir Krasniqi, Shaip Berisha dhe shumë rapsodë të tjerë të kohës.

MEDVEGJASOT: Cila ka qenë kënga juaj e parë?
ABAZ ALIU: Një ndër të parat ka qenë kënga e Hasan Fazlis.

MEDVEGJASOT: Po dasma e parë ku keni kënduar?
ABAZ ALIU: Në fshatin Kërpimeh të Podujevës, në fund të vitit 1978, me grupin “Hajvalia”.

MEDVEGJASOT: Në cilat shoqëri artistike keni qenë pjesë?
ABAZ ALIU: Kam marrë pjesë në SH.K.A. “Minatori i Ri” – Malësia e Gollakut, Hajvali, dhe SH.K.A. “Shkëndija” – Hajvali, ku kam qenë edhe kryetar për disa vite.

MEDVEGJASOT: Cilat shpërblime mbani mend?
ABAZ ALIU: Vendi i parë në mesin e shoqërive të ish-Jugosllavisë në Vërnjaçka Banja, vendi i parë në Festivalin “Takimet e Punëtorëve” në Novi Pazar si përfaqësues të Kosovës, si dhe shumë shpërblime të tjera ndër vite.

MEDVEGJASOT: Cila këngë është më e dashura për ju?
ABAZ ALIU: Kënga për “Minatorët”, e cila bëri jehonë të madhe në RTP dhe RP.

MEDVEGJASOT: Si ndiheni para publikut?
ABAZ ALIU: Shumë mirë. Mbështetja e publikut është vlera më e madhe për një artist.

MEDVEGJASOT: Na rrëfeni një moment të paharruar?
ABAZ ALIU: Është e vështirë të veçoj, por gjithmonë kemi qenë të mirëpritur nga publiku brenda dhe jashtë vendit. Jam mirënjohës për mbështetjen e tyre.

MEDVEGJASOT: Programi më i veçantë jashtë atdheut?
ABAZ ALIU: Një program për Vitin e Ri në Frankfurt të Gjermanisë, ku festuam me bashkatdhetarët tanë.

MEDVEGJASOT: Sa këngë keni incizuar?
ABAZ ALIU: Rreth 100 këngë të incizuara në RTP, RP, RTK dhe televizione të tjera, si dhe shumë incizime nëpër oda e audiokaseta të viteve ’80-’90.

MEDVEGJASOT: Sa këngë keni krijuar vetë?
ABAZ ALIU: Me grupin “Hajvalia” kemi krijuar 50-60 tekste dhe melodi origjinale.

MEDVEGJASOT: Sa albume keni realizuar?
ABAZ ALIU: Tetë albume të përfunduara dhe një në përfundim, prej të cilëve tre solo dhe pesë me grupin, kryesisht me këngë folklorike e popullore.

MEDVEGJASOT: Sa këngë njihni në repertorin tuaj?
ABAZ ALIU: Diku mes 350 dhe 400 këngë.

MEDVEGJASOT: A është zbehur kënga folklorike-popullore?
ABAZ ALIU: Disi po, por ka shpresë sepse televizionet po i japin më shumë hapësirë së fundmi.

MEDVEGJASOT: Mesazhi juaj për brezat e rinj?
ABAZ ALIU: Të ruajnë dhe trashëgojnë këngën folklorike-popullore si pasurinë më të çmuar të kulturës sonë.