Medvegja, rrënjët që sfidojnë dhunën dhe harresën

Dhuna ndaj popullatës shqiptare asnjëherë nuk u ndal. Në mënyrë të fshehtë ose të drejtpërdrejtë, gjithmonë ka pasur tentativa për ta përmbysur prejardhjen tonë. Një shembull i qartë është futja e prapashtesës “viç” në mbiemra, ku shumë pishtarë të arsimit u larguan, u dënuan e u akuzuan, vetëm pse në ditarë shënonin mbiemrin pa këtë shtesë të imponuar padrejtësisht, që synonte ndryshimin e identitetit kombëtar.

Shumëçka mbeti pas dore edhe nga vetë ne, por rrënjët tona ishin të forta. Shqiptarët e këtyre trevave jetonin në pjesë malore më të thella, larg kontaktit të drejtpërdrejtë me pushtetin e dhunshëm. Medvegja ishte ndër të fundit që përjetoi spastrimin e vitit 1877, kur rusët shpallën luftë Perandorisë Osmane, ndërsa ushtritë serbo-malazeze nisën spastrimin etnik në Sanxhakun e Nishit. Më shumë se 740 vendbanime shqiptare në Nish, Toplicë, Jabllanicë e Masuricë u dëbuan me forcë nga vatrat e tyre.

Në Medvegjë, trashëgimia gojore – legjendat, mitet, eposi – përcillej brez pas brezi, duke u kënduar e treguar si histori. Këngët epike dhe ato lirike, shpesh edhe me motive erotike, i jepnin ngjyrë jetës, historisë dhe identitetit. Odat e medvegjasve ishin gjithmonë plot me mysafirë – aty flitej, këndohej dhe më së miri ruheshin traditat.

Ky ishte universiteti i vërtetë i brezave të rinj: fjalët e Naimit, këngët e pavdekshme të Nexhmijes, Qamilit të Vogël dhe shumë të tjerëve. Këngët patriotike, ku thureshin heronjtë, përçonin pathyeshmërinë e një populli që nuk u përkul kurrë përballë kërcënimeve, as nuk u shtriu dorën tradhtisë apo ledhatimeve të pushtuesve.

Çdo familje që jeton sot në Medvegjë meriton respekt, përkrahje dhe vëmendje të veçantë nga çdo shqiptar. Pa ta, nuk do të dëgjohej më as kënga, as vallja, as fjala shqip. Medvegjën e vranë tradhtisht, dhe sot ajo po humb gjithçka, ndërsa njerëzit që nuk kanë bërë asgjë për të, flasin vetëm me fjalë boshe e populliste.

Qyteza në Komunën e Medvegjës ka një pozitë të rëndësishme gjeografike dhe shtrihet në një territor prej 524 km². Në veri-perëndim kufizohet me komunën e Bojnikut, në veri dhe lindje me komunën e Lebanës, në jug me komunën e Dardanës, në jug-perëndim me komunën e Prishtinës, ndërsa në perëndim me komunën e Kurshumlisë dhe komunën e Besianës.

Punim i shkruar nga shkrimtari i shumë veprave të botuara, opinionist dhe autor i dy katalogëve mbi veshjen tradicionale të Medvegjës, është edhe autor i librave “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” – vëllimi 1 dhe 2, Rrahman Hyseni