Në Bibliotekën “Azem Shkreli” në Pejë u zhvillua promovimi i dy veprave poetike të autores Marigonë Kelmendi, “Kur loti nuk mjafton” dhe “Rimat e qiellit”.


Dy përmbledhjet poetike sjellin para lexuesit një botë të pasur emocionale, ku ndërthuren ndjenjat, kujtimet, dhimbja, dashuria dhe shpresa. Veprat e autores u prezantuan para një audience të përbërë nga poetë, shkrimtarë, krijues, studiues, mësimdhënës, nxënës dhe dashamirës të librit.

Gjatë aktivitetit, recensentë, poetë dhe shkrimtarë ndanë vlerësimet dhe reflektimet e tyre mbi krijimtarinë e Marigonë Kelmendit, ndërsa artistët kontribuuan me interpretime që i dhanë aktivitetit një dimension të veçantë kulturor.


Pjesë e rëndësishme e promovimit ishte edhe pjesëmarrja e nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë “Odise Paskali”, nën udhëheqjen e znj. Nagjije Berbati Kastrati, të cilët interpretuan poezi nga veprat e autores. Në këtë ngjarje letrare ishin të pranishëm shumë dashamirës të librit dhe të letërsisë shqipe, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Pjesëmarrja e tyre i dha promovimit një atmosferë të veçantë, duke dëshmuar interesimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj krijimtarisë letrare shqiptare.


Gjatë promovimit të veprave poetike të autores Marigonë Kelmendi, për krijimtarinë e saj folën shkrimtarë dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, ndër ta Abdullah Zeneli, Lan Qyqalla, Rustem Gërguri, Riza Dreshaj dhe Agim Desku. Ata vlerësuan ndjeshmërinë poetike, thellësinë e vargut dhe pasurinë emocionale që përcillet përmes dy veprave. Një moment të veçantë të promovimit i dha edhe artisti i madh Xhevat Limani, i cili interpretoi një nga poezitë e autores, duke sjellë një dimension të veçantë artistik në këtë ngjarje letrare. Kontributi dhe mbështetja për realizimin e këtij promovimi u vlerësuan gjithashtu edhe përmes angazhimit të drejtoreshës së Bibliotekës “Azem Shkreli” në Pejë, znj. Shengyl Kelmendi. Aktiviteti u përcoll edhe nga Televizioni “Fontana”, i cili kontribuoi në pasqyrimin e këtij takimi letrar.










Promovimi në Bibliotekën “Azem Shkreli” u shndërrua në një takim të ngrohtë mes autorit, librit dhe lexuesit, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e hapësirave kulturore në promovimin e letërsisë dhe krijimtarisë vendore. Me fjalë miradie dhe vlerësimi për autoren foli edhe poetja Rabie Bytyqi, e cila u ndal te vlerat artistike dhe emocionale të krijimtarisë së saj. Ajo theksoi ndjeshmërinë, përkushtimin dhe veçantinë e autores, duke vlerësuar kontributin e saj në pasurimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Marigonë Kelmendit i urojmë sukses në rrugëtimin e saj letrar dhe shumë vepra të reja në të ardhmen.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
