Edhe pak ditë kanë mbetur nga zhvillimi i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Diaspora Jehon” – Edicioni II, një ngjarje kulturore që synon të bashkojë shqiptarët në Zvicër përmes këngës, valles, gjuhës dhe traditës kombëtare.
Drejtoresha e festivalit, Fatime Kalimashi, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve dhe miqve të kulturës shqiptare që t’i bashkohen kësaj feste mbarëkombëtare.

Festivali do të zhvillohet më 5 dhe 6 shtator 2026, në Renens të Zvicrës, ndërsa hyrja do të jetë falas dhe pa rezervime.
Organizatorët synojnë që përmes këtij aktiviteti të ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë kulturore shqiptare në diasporë, duke krijuar një hapësirë ku tradita shqiptare të vazhdojë të përcillet ndër breza.

“Diaspora Jehon” pritet të jetë një festë e kulturës dhe identitetit shqiptar, me këngë, valle dhe tradita nga trevat shqiptare.
Shkruar nga Rrahman Hyseni
