8 VJET NGA VDEKJA E PROFESOR BISLIM PIREVËS – NJË JETË NË SHËRBIM TË DIJES DHE IDENTITETIT SHQIPTAR

Sot përkujtohet 8-vjetori i ndarjes nga jeta i profesorit, gjuhëtarit dhe studiuesit Bislim Pireva, një intelektual i shquar që la pas një trashëgimi të çmuar në arsimin, kulturën dhe publicistikën shqiptare.

I lindur më 1946 në Tugjec të Kamenicës, Pireva ia kushtoi jetën arsimit dhe dijes. Ai përfundoi studimet në Fakultetin e Filologjisë, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, ndërsa në vitin 1985 magjistroi me temën “E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës”, duke i kushtuar vëmendje të veçantë gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare të kësaj treve.

Gjatë veprimtarisë së tij, ai botoi studime dhe vepra të rëndësishme, ndër të cilat edhe “E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës”, “Këngët dhe ritet e martesës në Malësinë e Kamenicës”, “Fjalor shqip-gjermanisht”, si dhe vepra dokumentare mbi historinë dhe të kaluarën shqiptare.

I njohur për modestinë, urtësinë dhe përkushtimin e tij, Bislim Pireva ishte një pedagog, studiues dhe intelektual që besonte te fuqia e dijes dhe e fjalës së shkruar. Shkrimet dhe hulumtimet e tij, veçanërisht ato për shqiptarët e Medvegjës, mbeten një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm.

Tetë vjet pas vdekjes, emri dhe vepra e profesor Bislim Pirevës vazhdojnë të kujtohen me respekt. Ai la pas jo vetëm libra e studime, por edhe një kontribut të qëndrueshëm në ruajtjen e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar.

Shkruar nga Rrahman Hyseni 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *