KKSH REAGON: 3.686 NXËNËS SHQIPTARË NË LUGINËN E PRESHEVËS NISIN VITIN SHKOLLOR PA LIBRA FALAS

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me bllokimin e fondeve të ndara nga Republika e Kosovës për sigurimin e librave shkollorë falas për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Sipas Rexhepit, nesër, me fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, 3.686 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë do të ulen në bankat shkollore pa librat falas që ishin paraparë për ta.

Rexhepi pretendon se fondet e ndara nga Qeveria e Kosovës vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga institucionet e Serbisë, duke pamundësuar transferimin e tyre te Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe, rrjedhimisht, shpërndarjen e librave për nxënësit.

Sipas tij, gjatë vitit të kaluar janë siguruar 35.448 libra shkollorë në gjuhën shqipe, të shpërndarë në rreth 15 shkolla fillore të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Kryetari i KKSH-së thekson se edhe këtë vit Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjetet për sigurimin e librave falas, ndërsa librat janë të aprovuar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë.

“Librat janë të aprovuar. Mjetet janë siguruar. Fëmijët janë në banka shkollore. Por Serbia po e ndalon fondin që do t’ua siguronte librat falas”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka ngritur shqetësim edhe për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe, duke theksuar se, sipas tij, në Serbi nuk është aprovuar asnjë tekst shkollor për shkollat e mesme shqiptare sipas planprogrameve bashkëkohore.

Rexhepi e ka cilësuar situatën si një padrejtësi ndaj nxënësve shqiptarë dhe ka kërkuar që fondet të zhbllokohen, në mënyrë që fëmijët të kenë qasje në tekstet shkollore në gjuhën shqipe.

“Mund t’i bllokojnë fondet për KKSH-në. Por nuk mund ta bëjnë normale që 3.686 fëmijë shqiptarë të mbeten pa libra, vetëm pse mësojnë shqip”, përfundon reagimin e tij kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *