PODUJEVË KUJTOHET SHKRIMTARI FATMIR HALIMI – PROMOVOHET ROMANI “SUZI”

Kur mora ftesën për të marrë pjesë, të shtunën, më 15 gusht 2026, në mbrëmjen përkujtimore kushtuar shkrimtarit Fatmir Halimi, mezi e prita atë ditë. Me Fatmirin na lidhnin vite njohjeje, miqësie dhe respekti. Sa herë që takoheshim, ai më pyeste me interes të veçantë për Kosovën Lindore. Ishte një mik i mirë, një njeri i dashur dhe një bashkëbisedues që dinte të dëgjonte e të vlerësonte.

Në Teatrin e Komunës së Podujevës “Avdush Hasani”, u mblodhën familjarë, miq, shkrimtarë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të veprës së tij për ta kujtuar Fatmirin jo vetëm si shkrimtar, por mbi të gjitha si njeri.

Në kuadër të këtij aktiviteti u promovua romani “Suzi”, të cilin Fatmir Halimi e la si dorëshkrim dhe që u botua pas vdekjes së tij nga familja. Për romanin dhe veprën e tij folën drejtori i Ministrisë së Kulturës së Podujevës, Avni Fetahu, recensenti Lan Qyqalla, Flamur Shala, si dhe shkrimtari dhe botuesi Abdullah Zeneli, i cili ndau vlerësime për veprën dhe kontributin e Fatmir Halimit në letërsinë shqipe.

Për figurën dhe krijimtarinë e tij foli edhe shkrimtari Dan Ibrahimi, duke sjellë kujtime dhe vlerësime për njeriun dhe autorin Fatmir Halimi.

Mbrëmja mori një dimension veçanërisht emocional kur nipi i vogël i Fatmirit, Lior Halimi, recitoi poezi, ndërsa vajza e tij e vogël Fjolla Halimi, solli një shkrim kushtuar babait. Sarandë Halimi, vajza e Fatmirit, foli për jetën, punën dhe veprën e të atit dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e mbështetën familjen dhe morën pjesë në këtë ngjarje përkujtimore.

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte premiera e filmit dokumentar kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Fatmir Halimit. Përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe personaliteteve të njohura, dokumentari solli kujtime, emocione dhe vlerësime për një njeri që la gjurmë në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Fatmir Halimi ishte shkrimtar, botues dhe studiues i letërsisë, autor i romaneve, vëllimeve me poezi dhe studimeve letrare. Për kontributin e tij në fushën e letrave u nderua edhe me çmime të ndryshme.

Sot, kur ai nuk është më mes nesh, fjala e tij vazhdon të jetojë në librat që la pas. “Suzi” është një tjetër dëshmi se krijimtaria e Fatmir Halimit nuk përfundoi me jetën e tij. Ajo vazhdon të flasë, të kujtojë dhe të jetojë përmes lexuesve.

Mbrëmja në Podujevë ishte më shumë se një promovim libri apo një premierë dokumentari. Ishte një përqafim i kujtesës, një falënderim për jetën dhe veprën e një shkrimtari dhe një dëshmi se njerëzit që lënë pas fjalën e shkruar nuk largohen kurrë plotësisht.

Fatmir Halimi u nda nga jeta më 12 shtator 2025, por emri, miqësia, kujtimet dhe vepra e tij vazhdojnë të jetojnë mes nesh.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *