Preshevë, 8 korrik 2026 – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Preshevë dhe Bujanoc, duke riafirmuar përkushtimin institucional të shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe duke vazhduar një traditë me rëndësi të veçantë kombëtare. Presidenti i Shqipërisë vizitoi Komunën e Preshevës, ku u mirëprit nga kryetarja Ardita Sinani dhe stafi i saj.


Gjatë kësaj vizite, ai zhvilloi takime me përfaqësuesit e pushtetit lokal. Më pas, Presidenti vizitoi edhe Komunën e Bujanocit, ku u mirëprit nga kryetari Arbër Pajaziti dhe stafi i tij. Gjatë qëndrimit në Preshevë dhe Bujanoc, Presidenti Begaj zhvilloi takime me përfaqësues institucionalë, organizatorë të panairit dhe qytetarë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës shqipe, arsimit dhe kulturës në Luginën e Preshevës. Vizita u zhvillua në kuadër të edicionit të dytë të Panairit të Librit – Preshevë 2026, i cili mbahet më 8 dhe 9 korrik nën moton “Libri dhe Tradita”. Panairi synon promovimin e librit, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare, duke mbledhur autorë, botues dhe dashamirës të librit nga trevat shqiptare.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, pas vizitës në Luginën e Preshevës, ndau këtë mesazh, duke riafirmuar mbështetjen e Shqipërisë për shqiptarët e kësaj treve dhe angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Njoftimi i plotë i Presidentit: Vizitova sot Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarë në trojet e veta, fatkeqësisht jashtë trupit amë. Më pritën me flamur e zemrat plot dashuri, si vëllai pret vëllanë. Biseduam me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajazitin, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Enkel Rexhepin, për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, për forcimin e bashkimit të faktorit shqiptar, si edhe për projektet që do të ndihmojnë rininë e këtushme. I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare. I sigurova se do të vazhdoj të jem, si deri më tani, avokat i tyre, avokat i të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Luginës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.

Bajram Begaj shërben si President i Republikës së Shqipërisë që nga 24 korriku 2022. Vizita e tij u vlerësua si një shprehje e mbështetjes së vazhdueshme të institucioneve të Shqipërisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe për forcimin e lidhjeve kombëtare.
Po ashtu, rikujtojmë edhe vizitën e zhvilluar në vitin 2017 nga Presidenti i atëhershëm i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e cila mbetet një moment i rëndësishëm për këtë trevë. Më 7-8 mars 2017, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, shkroi një faqe të rëndësishme të historisë kombëtare, duke u bërë presidenti i parë i shtetit shqiptar që vizitoi Luginën e Preshevës.

Në ditët e shënimit të 130-vjetorit të Shkollës së Parë Shqipe dhe Ditës së Mësuesit, kjo vizitë mori një simbolikë të jashtëzakonshme. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit e pritën me krenari, emocion dhe shpresë, duke e konsideruar një moment të shumëpritur dhe një dëshmi se nuk ishin të harruar. Nga Lugina e Preshevës, Presidenti Nishani përcolli mesazhe të qarta për mbrojtjen e identitetit kombëtar, respektimin e të drejtave të shqiptarëve dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale e kombëtare. Ai vlerësoi qëndresën e shqiptarëve në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave, duke bërë thirrje që faktori shqiptar të angazhohej për të ndalur shpërnguljen e të rinjve nga trojet e tyre. Kjo vizitë mbetet një simbol i unitetit kombëtar dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Luginës së Preshevës, duke lënë pas një mesazh të fortë: Shqiptarët e Luginës janë pjesë e pandashme e kombit shqiptar dhe nuk duhet të ndihen kurrë të vetëm.

Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë më 28 maj 2022, në moshën 56-vjeçare, pas komplikimeve shëndetësore si pasojë e një beteje disa mujore me COVID-19. Ai u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë në vitin 2012 dhe ushtroi detyrën me përkushtim deri në vitin 2017. Kontributi i tij në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe angazhimi për çështjet kombëtare do të kujtohen me respekt dhe mirënjohje.
Shpirti i tij u prehtë në paqe! I përjetshëm qoftë kujtimi për Presidentin Bujar Nishani.
Shkruar nga Rrahman Hyseni

