Shoqata Kulturore dhe Artistike “Ilirët” nga Lozana po vazhdon me sukses misionin e saj për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Zvicër. Pas paraqitjeve të suksesshme në aktivitetin “Grande Table 2026” në Morges dhe në Festën e 43-të të Majit në La Chaux-de-Fonds, anëtarët e shoqatës dëshmuan edhe një herë se tradita dhe identiteti shqiptar jetojnë fuqishëm edhe larg atdheut.
Vallet, këngët dhe muzika tradicionale shqiptare u pritën me duartrokitje dhe admirim nga publiku zviceran, ndërsa në qendër të këtyre paraqitjeve ishin fëmijët dhe të rinjtë e shoqatës. Të veshur me kostume kombëtare dhe të udhëhequr nga dashuria për kulturën shqiptare, ata prezantuan me krenari vlerat më të bukura të trashëgimisë sonë kulturore.
Një rol të rëndësishëm në këtë mision kanë edhe prindërit, të cilët prej vitesh mbështesin aktivitetet e shoqatës dhe kontribuojnë që brezat e rinj të mësojnë gjuhën, këngën, vallen dhe historinë shqiptare, duke u bërë ambasadorët më të mirë të kulturës sonë në diasporë.


Rrugëtimi i “Ilirëve” vazhdon me pjesëmarrjen në Festivalin e Muzikës në Moudon, ku shoqata do të paraqitet në dy skena të festivalit dhe do të jetë pjesë e emisionit të njohur zviceran “Le Kiosque à Musiques” me moderatorin Jean-Marc Richard. Kjo pjesëmarrje përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e kulturës shqiptare para një audience edhe më të gjerë në Zvicër.
Nën drejtimin e kryetarit Ilir Bytyqi, Shoqata Kulturore dhe Artistike “Ilirët” vazhdon të mbetet një nga organizatat shqiptare më të respektuara në Zvicër, duke ndërtuar ura mes brezave dhe duke mbajtur gjallë identitetin, traditën dhe krenarinë shqiptare.
Shkruar nga Rrahman Hyseni

