SHAIP KAMBERI NË SHBA: KONGRESI AMERIKAN TRAJTON ZYRTARISHT DISKRIMINIMIN NDAJ SHQIPTARËVE

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, së bashku me kryetarin e degës së PVD-së në Bujanoc, Ragmi Mustafi, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Uashington, ku kanë zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, Kamberi ka bërë të ditur se ka pranuar personalisht nga kongresisti amerikan Keith Self kopjen e Rezolutës H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, dokument ky që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

“Sot, në Uashington, kongresisti amerikan Keith Self ma dorëzoi personalisht H.R. 6411 – ligjin që për herë të parë e vendos zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të SHBA-së. Ky akt nuk është simbolik. Është një instrument shtetëror amerikan për të vlerësuar, dokumentuar dhe ekspozuar pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës,” ka shkruar Kamberi.

Ai ka theksuar se për herë të parë kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral. Me këtë rast, Kamberi ka falënderuar kongresistin Keith Self “në emër të çdo shqiptari të Luginës së Preshevës”, duke nënvizuar se “në një botë ku shumë heshtin nga interesi, kongresisti Keith zgjodhi të flasë nga parimi”.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Uashington, Kamberi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë zhvilluar gjithashtu një takim në Departamentin e Shtetit të SHBA-së me Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar për Evropë dhe Euroazi, si dhe me Joe Farbeann, përgjegjës për Serbinë. Në këtë takim, Kamberi ka theksuar se ka përcjellë drejtpërdrejt zërin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke folur për diskriminimin sistemik, pasivizimin e adresave, përjashtimin nga institucionet dhe politikat shtetërore të Beogradit që, sipas tij, synojnë “zhdukjen administrative” të shqiptarëve.

Ai ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e miqve të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, në veçanti Faton Bislimit nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Gino Mulliqin, të cilët, siç është shprehur, kanë qenë ura lidhëse mes përfaqësuesve shqiptarë dhe institucioneve amerikane.

“Kur Beogradi mohon problemin, ne e ndërkombëtarizojmë. Kur na mbyllen dyert në Serbi, i hapim në Uashington. Lugina e Preshevës nuk është temë lokale – është çështje e të drejtave të njeriut dhe e stabilitetit në Ballkan,” ka përfunduar Kamberi. / MEDVEGJASOT.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *