LIRIA NAMANI RRËFEN: SI SHKOLLA DHE SHOQËRIA FORMËSOJNË BREZAT E RINJ NË DIASPORËN ZVICRANE

MEDVEGJASOT.com: Zonja Namani, për fillim, a mund të na tregoni shkurtimisht për rrugëtimin tuaj akademik?

Liria Namani: Aktualisht jam e angazhuar si ligjëruese në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Valais-it dhe njëkohësisht doktorante në Universitetin e Gjenevës. Rrugëtimi im akademik është ndërtuar rreth interesimit për arsimin, barazinë, migrimin dhe përjetimet shkollore të fëmijëve dhe familjeve me prejardhje migrimi.

MEDVEGJASOT.com: Tema e tezës suaj doktorale trajton brezat e dytë të emigrantëve. Pse kjo temë është e rëndësishme sot?

Liria Namani: Kjo temë është shumë aktuale, sepse brezat e dytë – fëmijët e emigrantëve të lindur në Zvicër – janë sot prindër të brezit të tretë. Ata mbartin përvoja të veçanta shkollore, shpesh të shënuara nga sfida, pabarazi apo diskriminim. Të kuptosh se si këto përvoja ndikojnë në mënyrën se si ata sot e shohin shkollën dhe rolin e tyre si prindër është thelbësore për ndërtimin e një arsimi më gjithëpërfshirës.

MEDVEGJASOT.com: Çfarë synon konkretisht kërkimi juaj shkencor?

Liria Namani: Kërkimi im synon të analizojë se si brezat e dytë e riinterpretojnë përvojën e tyre si nxënës tani që janë bërë prindër nxënësish. Po ashtu, studimi vë në pah marrëdhënien mes familjes dhe shkollës, si dhe mënyrën se si institucionet arsimore i perceptojnë familjet e brezit të tretë.

MEDVEGJASOT.com: Me çfarë metode punoni në këtë studim?

Liria Namani: Përdor një qasje cilësore, kryesisht përmes intervistave biografike dhe intervistave gjysmë të strukturuara. Studimi përfshin familje me tri breza, ku gjyshërit kanë emigruar, prindërit janë lindur në Zvicër dhe fëmijët ndjekin sot shkollën zvicerane. Kjo qasje më lejon të kuptoj thellësisht historitë familjare dhe ndërveprimin e tyre me shkollën.

MEDVEGJASOT.com: A dalin në pah vështirësi të veçanta për këto familje?

Liria Namani: Po, shpesh dalin në pah pabarazi strukturore, stereotipe dhe pritshmëri të ulëta nga ana e shkollës. Megjithatë, shohim edhe forma rezistence, emancipimi dhe angazhimi të fortë të prindërve për edukimin e fëmijëve të tyre.

MEDVEGJASOT.com: Ju keni prezantuar punën tuaj në shumë kongrese ndërkombëtare. Çfarë rëndësie ka kjo për ju?

Liria Namani: Këto prezantime janë shumë të rëndësishme sepse krijojnë hapësirë për shkëmbim shkencor dhe reflektim të përbashkët. Migrimi dhe arsimi janë tema globale, dhe përvojat nga Zvicra lidhen drejtpërdrejt me realitete të ngjashme në vende të tjera.

MEDVEGJASOT.com: Ju keni qenë e angazhuar edhe në Shoqërinë Kulturo-Artistike “Medvegja” në Zvicër. Çfarë roli ka pasur ky angazhim për ju?

Liria Namani: Angazhimi në Shoqërinë Kulturo-Artistike “Medvegja” në Zvicër ka qenë një përvojë shumë e çmuar për mua. Ai ka përfaqësuar një hapësirë ku kultura, gjuha dhe identiteti ynë ruheshin dhe përcilleshin te brezat e rinj në mërgim. Ky angazhim më ka ndihmuar të kuptoj edhe më thellë rëndësinë e veprimit komunitar, solidaritetit dhe rolit që kultura luan në forcimin e vetëdijes dhe përkatësisë, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë me prejardhje migrimi.

MEDVEGJASOT.com: Çfarë mesazhi do t’u jepnit familjeve me prejardhje migrimi?

Liria Namani: Do t’i inkurajoja të mos e nënvlerësojnë rolin e tyre në shkollimin e fëmijëve. Përvoja e tyre, edhe kur ka qenë e vështirë, është një burim force dhe dijesh. Bashkëpunimi me shkollën dhe besimi në potencialin e fëmijëve janë kyç.

MEDVEGJASOT.com: Jeni edhe pjesë e Lidhjes së Shoqatave të Preshevës, Medvegjës & Bujanocit në Zvicër, ku bashkëpunoni me profesionistë për vlerësim projektesh dhe nisma për Luginën. Si e përjetoni këtë angazhim?

Liria Namani: Ky angazhim është një mundësi shumë e vlefshme për të kontribuar në zhvillimin e Luginës. Bashkëpunimi me 26 shoqata dhe profesionistë të ndryshëm krijon një hapësirë për shkëmbim ideash, planifikim projektesh dhe mbështetje të nismave të reja. Më lejon të ndjehem pjesë e një rrjeti aktiv që punon për avancimin e komunitetit tonë dhe për të sjellë ndikim pozitiv te brezat e rinj dhe familjet në mërgim.

MEDVEGJASOT.com: Dhe në fund, çfarë prisni të ndryshojë falë këtij studimi?

Liria Namani: Shpresoj që ky studim të kontribuojë në një kuptim më të drejtë dhe më të ndjeshëm të realitetit të familjeve migrante, si dhe të nxisë politika dhe praktika arsimore më të barabarta dhe më përfshirëse.

MEDVEGJASOT.com: Kontributi i Liria Namanit, me prejardhje nga Kapiti i Medvegjës dhe me vendbanim në Zvicër, tregon rëndësinë e angazhimit të brezave të rinj me prejardhje migrimi në zhvillimin e arsimit dhe komunitetit. Përmes studimeve të saj shkencore dhe angazhimit në shoqata kulturo-artistike dhe organizata të diasporës, Liria sjell një shembull të shkëlqyer të ruajtjes së identitetit, vlerave kulturore dhe mbështetjes aktive për fëmijët dhe familjet në mërgim. Përmes punës së saj, ajo kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe nxit forcimin e lidhjes mes shkollës, familjes dhe komunitetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *