XHEMË XHEMA – JETË NË SHËRBIM TË KOMBIT, DIJES DHE LIRISË

Xhemë Xhema lindi në Tupallë të Medvegjës në vitin 1943, në një mjedis ku dashuria për dijen, punën dhe atdheun ushqehej që në fëmijëri. Shkollën fillore e kreu në Tupallë dhe në Medvegjë, ndërsa arsimin e mesëm e vijoi në Prishtinë dhe në Gjilan, duke u formuar herët si një i ri me prirje të dalluara intelektuale dhe organizative. Në fillimet e jetës së tij profesionale, ai ushtroi detyrën e mësuesit në Sfircë të Dardanës dhe në shkollën fillore të vendlindjes në Tupallë, duke dhënë kontribut të çmuar në arsimimin e brezave të rinj. Më pas, një periudhë punoi në Beograd, ku njëkohësisht i filloi studimet në Fakultetin Juridik, duke zgjeruar horizontin e tij intelektual dhe shoqëror.

Qysh në rininë e hershme, Xhemë Xhema u shqua për guximin e veçantë, vendosmërinë dhe aftësinë për organizim, cilësi këto që më vonë do t’i materializonte me sukses si në fushën ekonomike, ashtu edhe në çështjet kombëtare. Me përpjekje dhe këmbëngulje, ai arriti t’i sigurojë dokumentet për udhëtim fillimisht në Kanada, e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku e priste xhaxhai i tij, dr. Hajdar Xhema. I mbështetur nga ai dhe falë punës së palodhshme, disiplinës dhe vizionit të qartë, Xhemë Xhema u konsolidua gradualisht, duke u shndërruar në një nga biznesmenët dhe lobuesit më të respektuar shqiptarë në SHBA.

Me përkrahjen e veprimtarisë intelektuale dhe patriotike të vëllait të tij, dr. Ramadan Xhema, i cili ndërkohë kishte arritur gjithashtu në Amerikë, si dhe falë bazës së fortë materiale që kishte krijuar, Xhemë Xhema arriti të formojë një rreth të ngushtë lobuesish dhe veprimtarësh shqiptaro-amerikanë. Nga ky angazhim i përbashkët lindi Këshilli Shqiptaro-Amerikan, kryetar i të cilit u zgjodh Xhemë Xhema. Në këtë mënyrë, përmes veprimeve të guximshme, sakrificave dhe angazhimit të pandërprerë, u arrit të bllokohej dhe të mposhtej veprimtaria antishqiptare që për dekada ishte ushtruar nga UDB-ja jugosllave dhe lobi serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I udhëhequr nga vizioni i qartë kombëtar, i mbështetur nga autoriteti moral, nga bashkëpunimi me veprimtarë të shquar shqiptarë nga të gjitha trojet dhe nga një bazë e qëndrueshme materiale, Xhemë Xhema arriti të fitojë mbështetjen e faktorëve të fuqishëm të administratës amerikane dhe të ndikojë në marrjen e vendimeve në favor të kërkesave të drejta dhe humane të shqiptarëve të Kosovës. Ai ishte dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të lobimit për realizimin dhe konsolidimin e mëvetësisë së Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe i qëndrueshëm.

Xhemë Xhema është një figurë me peshë të veçantë në komunitetin shqiptar të Amerikës. Ai ka bashkëpunuar nga afër për çështjen shqiptare me shumë politikanë dhe personalitete të rëndësishme amerikane, ndër ta senatorë me ndikim si Mitch McConnell, Bob Dole dhe të tjerë, duke e ngritur zërin e shqiptarëve në nivelet më të larta të vendimmarrjes. Për jetën e tij tejet aktive, përkushtimin legjendar dhe kontributin e jashtëzakonshëm në shërbim të çështjes shqiptare, në vitin 2003, ai u nderua nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me çmimin prestigjioz “Lifetime Achievement”.

Figura e Xhemë Xhemës përfaqëson shembullin e shqiptarit që idealin kombëtar e ktheu në mision jetësor, duke dëshmuar se puna, sakrifica, humanizmi dhe atdhedashuria, kur ecin së bashku, lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e një kombi.

Shkruar nga Rrahman Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *