SHEMBULL HUMANITETI DHE ATDHEDASHURIE – NJË MBYLLJE DINJITOZE E VITIT 2025 NË MEDVEGJË

Në kuadër të projekteve humanitare, Shoqata Humanitare Medvegja në Zvicër ka realizuar një investim domethënës prej 7.500 eurosh për ndërtimin e çatisë së familjes Jaha pesëanëtarëshe në Medvegjë, e cila deri dje jetonte në kushte tejet të vështira. Ky akt fisnik nuk përfaqëson vetëm ndihmë materiale, por sjell shpresë, dinjitet dhe një fillim të ri jete për këtë familje. Me këtë investim të dhjetorit, Shoqata përmbyll me sukses vitin 2025.

Me këtë rast, Kryetari i Shoqatës, z. Hajrrullahu, së bashku me anëtarët Shaban Bislimi dhe Bukurim Kurti, përveç përurimit të çatisë së familjes Jaha, ndanë edhe dhurata për nxënësit e shkollave shqipe në Medvegjë, në vlerë prej 1.500 eurosh. Ky veprim dëshmon qartë se investimi në arsim është investim në të ardhmen kombëtare.

Hamdi Halimi dhe Haki Kadriu, anëtarë të Komisionit të Shoqatës Humanitare Medvegja në Medvegjë, u nderuan me Mirënjohje nga Shoqata Humanitare Medvegja me seli në Zvicër.

Mirënjohjet u dorëzuan nga Kryetari i Shoqatës Humanitare Medvegja, z. Zymer Hajrullahu, i cili i falënderoi për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në realizimin e projekteve humanitare në Medvegjë.

Ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve u mbajt më 29 dhjetor 2025, në Banjë të Siarinës.

Për kontributin e dhënë, Kryetari dhe Shoqata u falënderuan nga mësimdhënësit e shkollës fillore në fshatin Tupallë dhe nga shkolla në Banjë të Siarinës, ku Shoqata Humanitare Medvegja u nderua edhe me Mirënjohje.

Gjithashtu, Shoqata ka kontribuar me 3.000 euro për Xhaminë e Siarinës, për ndërtimin e shkallëve që çojnë në katin e dytë dhe për infrastrukturën përcjellëse.

Shkruar nga Rrahman Hyseni