Sot, më 16 dhjetor 2025, në prani të Selim Zekës, Hamdi Halimit, Kosum Beqirit, Rrahman Hysenit, si dhe anëtarëve të familjes Rama, u vendos edhe një pllakë përkujtimore pranë pusit, me ç’rast familja e Dylber Ramës shprehu falënderim të thellë për të gjithë kontribuuesit dhe në veçanti për iniciatorin e këtij projekti humanitar, z. Selim Zeka.

Zeka, me rastin e përurimit të pllakës së pusit në thellësi 86 metra për familjen Rama në Siarinë, më datë 17 dhjetor 2025. Shumë i nderuari z. Rrahman Hyseni, ju falënderoj pa fund për ardhjen tuaj sot te familja Rama. Kryefamiljari, z. Adem Rama, me prejardhje nga Sfirca e Medvegjës dhe me banim të përhershëm në Siarinë, pikërisht aty ku u shpua pusi nga ne – Medvegjasit për Medvegjasit – dhe ku sot u zbulua pllaka e falënderimit, në shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që kontribuuan në këtë projekt madhor, domethënës dhe shumë të nevojshëm për familjen në fjalë. I nderuari Rrahman, ti jo vetëm sot, jo vetëm dje, por gjithmonë, kudo që kam pasur nevojë për ty, ke gjetur kohë, vullnet dhe dëshirë për të qenë prezent. Për këtë pus, ke qenë i angazhuar disa herë, madje edhe me mjete financiare vetanake. Faleminderit pa fund edhe për tekstin e përgatitur me përkushtim të madh, i cili ka kërkuar kohë dhe koncentrim të veçantë. Shumë i nderuari z. Hamdi Halimi, shoku im i gjeneratës (Daja Hamdi), të falënderoj pa fund për humanizmin tuaj, duke filluar nga grumbullimi i mjeteve financiare nga familjarët tuaj e më gjerë. Ardhja juaj disa herë te familja Rama për të iniciuar projektin e pusit, pagesa e disa punimeve, si dhe prezenca juaj edhe sot, kanë pasur rëndësi dhe domethënie të veçantë.

Falënderim pa kufi. Shumë i nderuari z. Kosum Beqiri, kushëri im, të falënderoj shumë për bashkëngjitjen tuaj sot te familja Rama për zbulimin e pllakës në shenjë falënderimi. Falënderoj gjithashtu Sabit Beka nga Siarina, i cili ndihmoi shumë në kontaktimin e Medvegjaseve dhe Medvegjasve për donacionin dhe mbështetjen e këtij projekti të rëndësishëm.

Faleminderit shumë. Shumë të nderuara Medvegjase dhe shumë të nderuar Medvegjas, ju falënderoj pa fund për financimin e projektit të pusit për familjen Rama, pasi falë solidaritetit Medvegjasit për Medvegjasit ky problem u zgjidh dhe tash e tutje kjo familje ka ujë me bollëk. Falënderim i veçantë për z. Sejdi Rama nga Sfirca, i cili dy herë ka shkuar te kjo familje për të kryer punë të ndryshme rreth pusit, gjithashtu me mjete financiare vetanake. Të nderuara zonja dhe zotërinj, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju dëshiroj një mbrëmje të këndshme me familjet tuaja, si dhe ju uroj që viti 2026 t’ju sjellë të gjitha të mirat e botës, e mbi të gjitha shëndet të mirë dhe sa më pak brenga, tha Zeka.

MEDVEGJASIT PËR MEDVEGJASIT – JETA DHE VEPRIMTARIA HUMANITARE E SELIM ZEKËS, SHEMBULL I HUMANIZMIT, KUJTESES DHE BASHKIMIT SHPIRTËROR
Selim Zeka, i lindur në vitin 1959 në fshatin Tupallë të Medvegjës, është një nga ata njerëz që jetën dhe veprën ia kanë kushtuar vendlindjes, njerëzve dhe ruajtjes së vlerave njerëzore, kulturore e shoqërore. Me iniciativa të vazhdueshme kulturore, humanitare dhe shoqërore, ai ka arritur të bashkojë breza, miq, shokë e bashkëvendës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në komunitet.
Një nga iniciativat më domethënëse ishte bashkimi i gjeneratës së viteve shkollore 1973/1974. Me përkushtim dhe ndjenjë obligimi moral, Selim Zeka mblodhi shokët dhe shoqet e kësaj gjenerate për një takim historik pas afro pesë dekadash. Ky takim u mbajt më 11 gusht 2022, ditë e enjte, në vendlindjen e tyre, në fshatin Tupallë, pikërisht në oborrin e shkollës fillore “Zenel Hajdini”, aty ku kishin përfunduar shkollimin fillor – tetëvjeçaren. Takimi nuk ishte vetëm një rikthim kujtimesh, por edhe një akt nderimi dhe respekti. Për nder të jetës dhe veprës së ish-mësuesit të kësaj gjenerate, z. Zenel Sahiti, ish-nxënësit vendosën kurora lulesh te varri i tij në Llapashticë, duke dëshmuar se mirënjohja dhe respekti për mësuesin mbeten të përjetshme.
Iniciativa vazhdoi edhe në Kosovë, ku Selim Zeka mblodhi sërish shokë e shoqe të së njëjtës gjeneratë për të vizituar varrezat e shokëve të ndjerë: Zenel Uka, Kadri Emini dhe Hajdar Kadriu. Me nga një kurorë lulesh të vendosur mbi varret e tyre, u shpreh respekti, nderimi dhe kujtimi për jetën, punën dhe veprimtarinë e tyre, duke treguar se shoqëria dhe vlerat njerëzore nuk harrohen as pas vdekjes.

Një nga projektet më madhore dhe më prekëse humanitare të iniciuara nga Selim Zeka u realizua te familja e Dylber Adem Ramës përjetoi një ditë të veçantë gëzimi dhe shprese. Falë iniciativës së Selim Zekës dhe përkrahjes financiare të donatorëve të shumtë medvegjas, kjo familje, e cila për vite me radhë kishte mungesë të ujit të pijshëm dhe detyrohej ta bartte atë nga kilometra larg, nga ajo ditë fitoi ujë të mjaftueshëm për pije dhe nevoja familjare. Projekti përfshinte hulumtimin gjeodezik për gjetjen e ujit në vlerë prej 600 euro, shpimin e pusit/bunarit në vlerë 7.740 euro, transportin e kamionëve në vlerë 1.000 euro, testimin e ujit dhe pompës 350 euro, si dhe blerjen e pompës dhe pajisjeve të tjera në vlerë 2.040 euro. Kostoja totale e projektit ishte 11.730 euro, ndërsa shuma e mbledhur nga donatorët arriti në 11.744 euro. Teprica prej 14 eurosh, së bashku me 20 euro shtesë nga vetë Selim Zeka, iu dhanë familjes Rama. Pusi u gropua në thellësi prej 86 metrash dhe sot siguron ujë të mjaftueshëm për familjen, duke ndryshuar rrënjësisht jetën e tyre.
Punët dhe veprat humanitare të Selim Zekës janë të shumta dhe vështirë të numërohen në një shkrim të vetëm. Ndër to spikat edhe ndërtimi dhe rindërtimi i shtëpisë në Siarinë, së bashku me “Odën e Babës”, një odë unike që ruan traditën dhe të kaluarën e ndërthurur me elemente moderne. Kjo odë konsiderohet e vetmja e ruajtur dhe e punuar në këtë formë, duke mbetur simbol i trashëgimisë kulturore dhe identitetit të krahinës.
Më datë 27 korrik 2024, në Hotel-Restorant “Amazona” në Milloshevë të Kosovës, u organizua një ceremoni madhështore me rastin e daljes në pension të z. Selim Zekës. Në këtë ngjarje të veçantë, ai festoi njëkohësisht edhe ditëlindjen, i rrethuar nga familjarë, miq dhe shokë, të cilët ai vetë i kishte bashkuar, duke e kthyer mbrëmjen në një festë dinjitoze dhe plot emocione.
Veprimtaria humanitare e Selim Zekës vazhdoi edhe në fund të vitit 2024. Më 26 dhjetor 2024, ai mblodhi dhe dorëzoi mjete financiare në vlerë prej 950 CHF dhe 500 euro për familjen e Agim Osmanit, e cila kishte nevojë të madhe për ndihmë. Po ashtu, për Muhamed Bajramin në Banjën e Siarinës, u siguruan 360 euro për pagesën e druve për ngrohje dhe 300 CHF mjete financiare të mbledhura nga bashkatdhetarët në Zvicër, të dorëzuara më 24 dhjetor 2024. Një tjetër ndihmë e rëndësishme ishte mbledhja e 2.200 CHF për familjen Aliu në Gjylekreshtë të Medvegjës, e dëmtuar nga zjarri dhe që ende jeton në ato kushte të vështira.
Veprimtaria humanitare e Selim Zekës nuk u ndal këtu. Ai kontribuoi edhe në rregullimin e rrugës për familjen e Azize Emini, në fshatin Tupallë, duke ndihmuar me 250 euro, një ndihmë konkrete që lehtësoi jetën e përditshme të kësaj familjeje.
Po ashtu, në vitin 2016, Selim Zeka organizoi një ndihmë të gjerë humanitare me artikuj ushqimorë dhe gjëra shtëpiake si: miell, vaj, sheqer, detergjentë për larje rrobash dhe produkte të tjera të domosdoshme për amvisëri. Kjo ndihmë solide u shpërnda për shumë familje në nevojë në Medvegjë, duke dëshmuar solidaritet të rrallë dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie shoqërore.
Në të njëjtën periudhë, Selim Zeka kontribuoi edhe financiarisht me nga 200 euro për nisma humanitare si “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe “Shqiperil”, si dhe 200 euro për Jetimët e Ballkanit në Republikën e Kosovës, duke shtrirë ndihmën e tij përtej kufijve lokalë.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vazhdueshëm, në 10-vjetorin e themelimit të tij, portali “MEDVEGJASOT.com” ndau Mirënjohje për z. Selim Zeka, për humanizmin dhe kontributin e dhënë ndaj vendlindjes Medvegjë, më datë 30 dhjetor 2024.
Në zemër të fshatit Siarinë të Medvegjës qëndron me krenari “Oda e Babës”, e ndërtuar dhe e ruajtur me përkushtim nga Selim Zeka. Kjo odë nuk është vetëm një objekt ndërtimor, por një pasuri shpirtërore dhe kulturore, një kujtesë e gjallë e jetës shqiptare, ku mikpritja, tradita dhe krenaria familjare vazhdojnë të jetojnë. Përmes punës së tij të palodhshme, Selim Zeka e ka shndërruar këtë odë në një simbol të trashëgimisë kulturore dhe një urë lidhëse mes brezave, duke dëshmuar se vlerat e vërteta nuk zbehen kurrë.
Selim Zeka është shembull i humanizmit dhe përkushtimit ndaj Medvegjës. Me veprime konkrete, ai ka bashkuar njerëz, ka ruajtur traditën dhe ka ndihmuar familje në nevojë. Kontributi i tij shoqëror dhe njerëzor mbetet vlerë e qëndrueshme për komunitetin.
Shkruar nga Rrahman Hyseni

