Magjistre e Shkencave Juridike në fushën Kushtetuese dhe Administrative, me mbi 19 vite përvojë profesionale në administratën publike dhe qeverisjen lokale. Që nga viti 2006 është e punësuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ndërsa aktualisht ushtron detyrën e Udhëheqëses së Divizionit për Transparencë në Komuna, si dhe është zyrtare përgjegjëse për mbrojtjen e të dhënave personale në MAPL.

Gjatë karrierës së saj ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në monitorimin, vlerësimin dhe këshillimin e komunave për transparencë dhe qeverisje të mirë, hartimin e strategjive, akteve nënligjore, udhëzuesve dhe planeve për zbatimin e obligimeve ligjore, si dhe në koordinimin institucional dhe zbatimin e standardeve të transparencës. Nga viti 2013 vazhdon në këtë pozitë udhëheqëse, ndërsa nga viti 2020 mban edhe përgjegjësinë për mbrojtjen e të dhënave personale.
Më herët, në periudhën 2007–2013, ka qenë Udhëheqëse e Divizionit të Burimeve Njerëzore në MAPL, ku është marrë me menaxhimin e burimeve njerëzore, hartimin e politikave të personelit dhe dokumenteve administrative në zbatim të legjislacionit për shërbimin civil. Në këtë periudhë ka qenë edhe zyrtare kontaktuese për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Karrierën e ka nisur si Zyrtare Ligjore në MAPL (2006–2007), duke u angazhuar në vlerësimin e ligjshmërisë së akteve komunale, monitorimin dhe raportimin mbi zbatimin e obligimeve ligjore nga komunat.
Në aspektin akademik, ka përfunduar studimet master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (2005–2008), ndërsa është juriste e diplomuar në të njëjtin institucion (1999–2005).


Përveç angazhimit institucional, Nazmije Krasniqi–Jusufi është aktive edhe në shoqërinë civile dhe jetën publike. Ka shërbyer si menaxhere e OJQ-së “Vullneti i Shoqërisë”, ku ka realizuar projekte në fusha të rëndësishme shoqërore si: parandalimi i dhunës në familje, integrimi i të rinjve në BE, lufta kundër dukurive negative, fuqizimi i grave në vendimmarrje, mbrojtja e ambientit, si dhe e drejta pronësore dhe trashëgimia e gruas.
Ka qenë e angazhuar në Sindikata e Shërbyesve Civilë – MAPL (2019–2022), në Forumin e Gruas dhe Forumin Rinor të LDK-së (2000–2018), si dhe është trajnerë e certifikuar nga Instituti i Administratës Publike. Ka marrë pjesë si anëtare dhe kryesuese e grupeve punuese për legjislacionin e qeverisjes lokale, strategjinë për gjuhët zyrtare dhe trupat këshillues të rinisë.
Është aktive në rrjete sociale dhe media, e pranishme si opinioniste dhe analiste në emisione televizive, duke ndërtuar besim te qytetarët përmes komunikimit të qartë, argumentimit profesional dhe qëndrimit të matur në debate publike.
Gjatë viteve ka ndjekur një numër të madh trajnimesh dhe certifikimesh të avancuara në fushat e administratës publike, politikëbërjes, udhëheqjes, të drejtës, transparencës, qasjes në dokumente publike, mbrojtjes së të dhënave personale, planifikimit strategjik, zhvillimit të politikave publike dhe qeverisjes lokale, përfshirë trajnime ndërkombëtare si ato të Centre for European Perspective (CEP) – Slloveni, Local Governance Academy dhe Public Policy Development and Leadership (PPDL).
Aftësitë e saj profesionale përfshijnë hartimin e akteve nënligjore, të drejtat e zyrtarëve publikë, pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje, transparencën, politikëbërjen, analizën institucionale, lidershipin dhe koordinimin ndërinstitucional. Flet shqip në nivel shkëlqyeshëm dhe anglisht në nivel mesatar.
Prioritetet e saj politike janë: transparenca dhe lufta kundër korrupsionit, fuqizimi i gruas në vendimmarrje, zhvillimi i komunave dhe qeverisja lokale, rinia si prioritet kombëtar dhe forcimi i shtetit të së drejtës.
“Transparencë, parim i ligjshmërisë, drejtësi dhe vendimmarrje për qytetarët.”
Shkruar nga Rrahman Hyseni

